Në Tiranë është mbajtur mbledhja e parë e përbashkët e Kuvendit të Shqipërisë dhe e Kuvendit të Kosovës, me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë nga të dyja vendet, në kuadër të 110-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Pas intonimit të dy himneve, mbledhja në sallën e seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë vazhdoi me fjalët përshëndetëse të kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, dhe kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ndërsa fjalime mbajtën edhe ministra të të dyja qeverive dhe drejtues të grupeve parlamentare nga të dyja parlamentet.
Nikolla theksoi se Shqipëria dhe Kosova sot janë dy shtete të pavarura, demokratike, sipas saj, të respektuara me miq dhe aleatë të mëdhenj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe Bashkimin Evropian, me aspiratë integrimin drejt Brukselit.
"Sot kjo orë e shënuar që nëpërmjet emocionesh jo të përditshme rikonfirmon thirrjen shpirtërore ‘Një komb-një qëndrim’, atë të vëllazërimit Shqipëri-Kosovë në vigjilje të 28 Nëntorit, ditës themeluese të Pavarësisë dhe të shtetit, bie për shqiptarët. Kumti i saj i mbush ata me ndjenja të fisme e identifikuese. Të gjithë shqiptarët, kudo ku ndodhen, i mbush me krenari, kujtime e refleksione për atë çka ishim dhe bëmë, për atë që jemi dhe duam, për atë që nesër do t'u lëmë trashëgim fëmijëve tanë, shqiptarëve të gjeneratës së re", tha ajo.
Nikolla shtoi se sfidat e shqiptarëve në shekullin “ku kemi hyrë pavarësisht faktit se jetojnë në shtete të ndryshme janë të përbashkëta dhe ata përballen me projekte të përbashkëta”.
"Në një sallë si ky tempull i demokracisë, i vizioneve dhe i horizonteve shqiptare për një të ardhme më të begatë, është vendi i duhur për të kujtuar ata që bënë Kongresin e Lushnjës dhe stabilizuan shtetin deri në vitin 1939. Ata që luftuan kundër okupatorëve, bij e bija idealistë që mbushen malet për lirinë e Shqipërisë në Luftën e Dytë Botërore. Sot është dita dhe vendi për të kujtuar martirët e burgjeve komuniste, qëndrestarët, disidentët, klerin, shkrimtarët të gjithë ata që nuk humbën kurrë besimin tek liria", u shpreh Nikolla.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në fjalën e tij tha se historia kombëtare është sikurse një substancë e vetëdijshme e cila sipas tij shpaloset nëpërmjet 28 Nëntorit.
"28 Nëntori i mban në gjirin e vet të gjitha ëndrrat tona kolektive, por edhe aspiratat e përbashkëta, mundin dhe përpjekjen e gjatë për liri si dhe dashurinë e madhe për kombin tonë. Kjo ditë e ka krejt simbolikën e vet të nevojshme për të na i mbajtur gjallë emocionet më të thella, krenarinë më të lartë, gatishmërinë më të vendosur dhe kujtimet tona më të çmuara", tha ai.
Konjufca theksoi se pa dyshim që është arritur shumëçka e rëndësishme "për kombin tonë deri sot". "Por, rruga ishte shumë e gjatë dhe aspak e lehtë", tha Konjufca.
"Dy ngjarje të rëndësishme e kanë hapur kapitullin e mundësive të mëdha për kombin tonë, së pari ishte ardhja e demokracisë në Shqipëri, pastaj nëntë vjet pas kësaj ndodhi edhe çlirimi i Kosovës nga pushtuesi serb. Sot Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, kurse Kosova aspiron NATO-n dhe anëtarësimin në familjen e vlerave evropiane", tha Konjufca.
27 Nën 2022
Mbledhja e parë e përbashkët e kuvendit të Shqipërisë dhe atij të Kosovës
Hapjen e seancës së parë të përbashkët e bënë kryeparlamentari i Shqipërisë dhe ai i Kosovës, Lindita Nikolla dhe Glauk Konjufca.
TRT Balkan / agjencitë
Lajme të ngjashme
Gratë serbe që jetojnë në Kosovë, marshojnë për paqe në Mitrovicë të Veriut
Ish-këshilltarja e Kuvendit Komunal në Mitrovicë të Veriut, Gordana Saviq, njëherësh edhe infermiere, tha se gratë nga veriu i Kosovës janë mbledhur për të thënë se nuk do ta vuajnë më terrorin e kryeministrit kosovar, Albin Kurti
Artikujt në këtë kategori
Ku funksionojnë pikat e përbashkëta kufitare në rajon?
“One Stop Shop”, kështu quhet marrëveshja e cila së fundmi është nënshkruar në takimin e përbashkët ndërshtetëror ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Çka përfshin ky model dhe ku funksionojnë pikat e përbashkëta kufitare në vendet e rajonit?
Çfarë tjetër do të donit të dinit?
Popullore