Dita Botërore e Shtypit, kritikohet qasja e Qeverisë së Kosovës ndaj mediave / Photo: AA

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) bashkë me Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës dhe Komisionin e Pavarur për Medie, kanë shënuar 3 Majin - Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, me një diskutim për sfidat e ruajtjes së standardeve profesionale dhe kodit të etikës gjatë raportimit.

Në fillim të diskutimit ku morën pjesë përfaqësues të organizatave që merren me mediat, ambasadori i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Michael Davenport dhe gazetarë, u përmend edhe raporti i ri i organizatës "Reporterët pa Kufij".

Në këtë raport Kosova ka rënë për 19 pozita në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit. Nga pozita e 56-të, ku radhitej vitin e kaluar, këtë ka rënë në pozitën e 75-të në mesin e 180 vendeve.

Kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha, tha se kjo renditje mund të mos jetë befasi për komunitetin e gazetarëve për shkak të asaj çfarë përjetuan vitin e kaluar, por duhet të jetë alarm për ata që kanë ndikuar në forma të ndryshme në këtë rënie.

"Këtu më së shumti e kam fjalën për institucionet e Kosovës dhe Qeverinë e Kosovës. Edhe raporti i 'Reporterëve pa Kufij', siç bëjnë të ditur edhe raportet e tjera gjatë javës, ai i 'Freedom House' dhe i Departamentit Amerikan të Shtetit, i identifikojnë mes të tjerash fushatat e vazhdueshme denigruese të Qeverisë dhe deputetëve të partisë në pushtet kundër mediave dhe gazetarëve me qëllimin e vetëm për të minimizuar efektin e punës së tyre", theksoi Rexha.

Ai tha se siguria e gazetarëve ka qenë një shqetësim, ku vitin e kaluar vetëm brenda pesë javësh janë identifikuar 30 sulme në veriun e Kosovës, përfshirë kërcënim për mjetet e punës dhe pronën e gazetarëve që ka kërcënuar integritetin e tyre.

TRT Balkan / agjencitë