Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme Josep Borrell publikoi të mërkurën vonë se Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje lidhur me çështjen e targave për serbët e Kosovës. Sipas Borrellit, Serbia është pajtuar të mos japë më targa me emërtimet e qyteteve të Kosovës, ndërsa Qeveria e Kosovës nuk do të vazhdojë detyrimin për riregjistrimin e veturave. E gjithë kjo, sipas Borrellit, me qëllim që palët të kthehen në tavolinë për të diskutuar propozimin franko-gjerman.
"Kemi marrëveshje! Me kënaqësi ju njoftoj se kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, nën lehtësimin e BE-së, kanë rënë dakord për masat për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për t'u përqendruar plotësisht në propozimin për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre", publikoi në Twitter shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell.
Borrell falënderoi ndërmjetësin e ngarkuar nga BE-ja për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ndërsa tha se do të ftojë në takim të dyja palët për të diskutuar hapat e ardhshëm.
Qeveria e Kosovës shtyu disa herë vendimin që detyronte serbët e Kosovës të riregjistrojnë automjetet që bartin targa ilegale.
Ndërkohë, një propozim franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve u është ofruar palëve, por negociimi i tij ngeli peng i tensioneve të krijuara rreth çështjes së targave.
Presidentja Osmani falënderon ShBA-në
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka falënderuar amvasadorin e ShBA-së në Kosovë për angazhimin e tij që të bëhet e mundur marrëveshja e sotme.
"Dua të falënderoj ambasadorin e ShBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, dhe qeverinë e ShBA-së për angazhimin e tyre aktiv në arritjen e marrëveshjes së sotme në Bruksel. Mbështetja e tyre për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është e domosdoshme. Kosova është mirënjohëse", shkruan presidentja Osmani.