Presidenti i Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka pritur sot të dërguarin e Bashkimit Evropian (BE) për sanksione, David O'Sullivan.
Vuçiq theksoi se, megjithëse Serbia nuk ka vendosur sanksione ndaj Federatës Ruse, si një partner i besueshëm, nuk do të lërë hapësirë që ajo të përdoret për veprime të paligjshme, të cilat do t'u mundësonin vendeve të treta të shmangin regjimin e masave kufizuese të BE-së, njoftoi Shërbimi për Bashkëpunim me Media i Presidentit të Serbisë.
Duke raportuar për takimin me zyrtarin e BE-së, Vuçiq në rrjetet social shkroi se Serbia udhëhiqet nga interesat e veta shtetërore.
Vuçiq ka thënë se Serbia është e përkushtuar për bashkëpunim me BE-në në fushën e politikës së jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes, duke respektuar të drejtën ndërkombëtare dhe detyrimet që dalin nga MSA-ja dhe Korniza negociuese.