Vuçiq nga Tirana: Më mirë në tavolinë sesa në meny.     Foto: Edi Rama/Facebook

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq megjithatë arriti në Tiranë për Samitin BE-Ballkani Perëndimor. Pas disa ditësh hamendje, Vuçiq tha se vendimin për pjesëmarrje në Samit e mori pas konsultimeve më të gjera.

“Pas konsultimeve vendosëm të vijmë dhe të bisedojmë. Këtu do të kemi mundësinë të themi atë që mendojmë. Mbetemi të përkushtuar për bisedimet me BE-në, por edhe për mbrojtjen e interesave tona”, tha Vuçiq.

Sipas tij, është më mirë të jesh në tavolinë se sa pjesë e menysë, prandaj ka marrë një vendim të tillë përkundër se paralajmëroi bojkotim të samitit.

“Erdhëm që të bisedojmë disa çështje. Gjithmonë është më mirë të jesh në tavolinë për të biseduar, sepse nëse nuk jeni në tavolinë, atëherë jeni në meny. Është mirë të bisedohet”, theksoi presidenti serb.

Vuçiq u pyet nga gazetarët për afërsinë me Rusinë dhe mosbashkëngjitjes ndaj sanksioneve perëndimore kundër Rusisë. Sipas tij, Serbia është shtet i pavarur dhe i vendos vetë politikat e saj.

“Nëse u vjen më lehtë të na kritikojnë se jemi të afërt me Rusinë, atëherë kjo është për shkak se nuk kanë ku të kapen dhe duhet të thonë diçka”, tha Vuçiq.

Presidenti serb kishte paralajmëruar se mund ta bojkotojë Samitin e Tiranës për shkak të mosreagimit të BE-së ndaj vendimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që të emërojë serbin Nenad Rashiq si ministër në Qeverinë e Kosovës. Rashiq u bë ministër pasi Lista Serbe mori vendim t’i bojkotojë institucionet e Kosovës, ndërsa Beogradit nuk i pëlqeu mosbindja e Rashiqit.

TRT Balkan