Pa ndonjë marrëveshje konkrete përfundoi takimi ndërmjet kryediplomatit evropian, Josep Borrell, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Ky i fundit pas takimit 4-orësh ka njoftuar se për arsye të paqarta për të nuk kanë arritur absolutisht asnjë marrëveshje për targat.
Vuçiq më tutje paralajmëron se procesi i marrëveshjes nuk do të jetë aspak i lehtë.
"Nuk mendoj se ka ndodhur ndonjë tragjedi, por, natyrisht, nuk do të jetë një periudhë e lehtë", tha Vuçiq, duke shtuar se Serbia “do t'i qëndrojë pranë popullit serb" në Kosovë.
Ndërkohë, sipas Vuçiq Serbia do të vazhdojë komunikimin me përfaqësuesit e BE-së, ndërsa për më shumë brenda javës do t’i drejtohet publikut serb.
"Do t’i dëgjojmë këshillat dhe kërkesat e përfaqësuesit të lartë evropian, Borrell. Ai ka kërkuar që zyrtarët kosovarë të mos shqiptojnë gjoba, që ne të mos lëshojmë targa të reja KM - për ç’gjë ne kemi thënë se është në rregull. Ne do ta respektojmë këtë. Do të shohim se çfarë do të bëjë pala tjetër", tha presidenti serb ndërsa paralajmëroi se këtë javë do t’i drejtohet publikut serb.
Takimi u mbajt me ftesë të kryediplomatit evropian, Josep Borrell.
Fillimisht, Borrell mbajti takime ndaras me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq.
Borrell tha mbrëmë se e ka thirrur këtë “takim urgjent”, për shkak të nevojës për të shtensionuar situatën.
Ndërsa nga ana tjetër, kryeministri i Kosovës Albin Kurti nuk është prononcuar lidhur me takimin.
Ndryshe, Policia e Kosovës së fundmi ka njoftuar se është prolonguar për 24 orë vendimi për shqiptimin e gjobave për pronarët e makinave me targa serbe, respektivisht i njëjti hynë në fuqi më 22 nëntor.