Presidenti i Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka uruar presidentit amerikan Donald Trump marrjen e detyrës si president, duke theksuar se Serbia do të jetë një partner dhe mik i besueshëm për ShBA-në.
“Jam i lumtur për bashkëpunimin tonë dhe besoj në vizionin tuaj për një botë ku do të mbizotërojnë paqja, liria, ligji dhe drejtësia për të gjithë. Në këtë përpjekje, Serbia do të jetë një partner dhe mik i besueshëm për ju“, ka thënë Vuçiq në një mesazh në rrjetin social X.
Duke theksuar se Trump ka pasur gjithmonë mbështetje më të madhe në gjithë Europën nga qytetarët serbë, Vuçiq është shprehur se vendi i tij është i emocionuar dhe shpreson për një bashkëpunim të shkëlqyer dhe të ngushtë gjatë mandatit të ri.
“Ju uroj sukses në mandatin tuaj të ri, i bindur se do t’u përgjigjeni guximshëm të gjitha sfidave, siç keni bërë gjithmonë deri tani, dhe se do të vazhdoni të luftoni fuqishëm për prosperitetin e Shteteve të Bashkuara dhe paqen globale, duke ndërtuar ura me ata që ndajnë me ju vlerat më të larta morale, tradicionale dhe shtetërore“, përfundoi Vuçiq.
Trump, me betimin solemn në Inaugurimin në Kapitol, u bë presidenti i 47-të i SHBA-së, dhe që në ditën e parë ka nënshkruar një sërë urdhërash ekzekutivë, të cilat do të shkaktojnë reagime të ndryshme në botë.