Instituti "Yunus Emre" dhe Shkolla Jopublike "Hafiz Ali Podgorica" në Durrës kanë nënshkruar protokoll bashkëpunimi, me fokus mësimdhënien e turqishtes.
Protokolli është nënshkruar nga koordinatori i Institutit "Yunus Emre" për Shqipërinë, Oğuzhan Sakoğlu dhe drejtori i shkollës, Bari Ceka, ndërkohë i pranishëm ishte edhe atasheu i Arsimit pranë Ambasadës turk në Tiranë dr. Metin Bulut.
Sipas njoftimit nga instituti, protokolli është nënshkruar në lidhje me mësimdhënien e turqishtes në shkollë dhe për objektiva të tjera.
"Objekti i këtij protokolli përfshin vullnetin për forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve, thellimin e mirëkuptimit të ndërsjellë dhe rritjen e lidhjeve kulturore e shkencore. Me anë të këtij protokolli synohet shtrirja e mësimdhënies së turqishtes në Shqipëri në kuadrin e projektit të Institutit 'Turqishtja-Zgjedhja ime' dhe zhvillimi i mësimit të turqishtes në shkollë si dhe përcaktimi i veprimtarive të përbashkëta mes institutit dhe shkollës", theksohet nga instituti.
Që prej vitit 2020 Shkolla Jopublike "Hafiz Ali Podgorica" e cila është shkollë private 9-vjeçare dhe e mesme, me mbështetjen e institutit zhvillon lëndën e turqishtes në disa klasa.
Instituti "Yunus Emre" në Shqipëri bashkëpunon me disa institucione arsimore, përfshirë universitete dhe shkolla për mësimdhënien e gjuhës turke.