"Yunus Emre" - Shkup prezanton koncertin e xhazit turk "Tinguj Anadolli" / Photo: AA

Publiku i Maqedonisë së Veriut do tа ketë rastin tа shijojë ndërthurjen interesante të muzikës tradicionale turke dhe muzikës xhaz në koncertin e titulluar "Tinguj nga Anadolli" i cili të enjten do të mbahet në Shkup.

Në koncertin e organizuar nga Instituti "Yunus Emre" (YEE) - Shkup do të performojnë artistët Anıl Şallıel dhe Mareechi Asu.

Në konferencën për media të mbajtur sot, drejtori i YEE-së në Shkup, Arif Konak tha se instituti të cilin e drejton ai vazhdon përpjekjet për tа prezantuar kulturën turke dhe artin turk.

Ai u shpreh i lumtur që më 5 dhjetor, në sallën e Operës dhe Baletit në Shkup, do të organizohet koncert me artistë si Anıl Şallıel, i cili ka arritur sukses të madh në aspektin e muzikës xhaz në Türkiye si dhe Mareechi Asu, i cili performon muzikë të ndërthurur me stil klasik turk dhe xhaz.

"2024 ka qenë një vit i mirë për ne. Me përfundimin e vitit 2024, ne donim ta përfundojmë me një koncert madhështor në Shkup, kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut", tha Konak, duke shtuar:

"Shpresojmë të japim një koncert unik për qytetarët e Maqedonisë së Veriut duke ofruar në këtë koncert shembujt më të mirë të kulturës sonë, këngët popullore dhe muzikën unike të Anadollit me muzikën perëndimore".

Në konferencë për media të pranishëm ishin edhe artistët Anıl Şallıel dhe Mareechi Asu. Ata u shprehën të lumtur që do të kenë mundësinë tа prezantojnë muzikën turke para publikut të Maqedonisë së Veriut, duke theksuar se ky koncert është pjesë e një turneu me të cilin "realizojnë ëndrrën e tyre".

Şallıel tha se në kuadër të projektit "Tinguj nga Anadolli", publiku do të ketë mundësinë të shohë një koncert vizual, një shfaqje teatrale dhe jo vetëm një shfaqje muzikore.

Asu, nga ana tjetër, theksoi se kanë punuar shumë që të sjellin muzikën e vjetër turke në një version modern, për të prezantuar të kaluarën dhe të tashmen.

Koncerti "Tinguj nga Anadolli" mbahet të enjten, 5 dhjetor, me fillim nga ora 20:00 në sallën e Operës dhe Baletit Kombëtar në Shkup, ndërsa hyrja është falas.

TRT Balkan / agjencitë