Zgjedhjet lokale në BeH, shtyhet votimi në zonat e prekura nga përmbytjet          / Foto: AA

Në Bosnjë e Hercegovinë sot mbahen zgjedhjet lokale, ndërkohë që në zonat e prekura nga përmbytjet dhe rrëshqitja e dheut votimi është shtyrë.

Në këto zgjedhje lokale, të tetat që nga viti 1992 në Bosnjë e Hercegovinë, për shkak të situatës së krijuar nga moti i keq është shtyrë votimi në zonat e prekura, respektivisht në njësitë e Jablanicës, Konjicës, Kiselljakut, Kreshevës dhe Fojnicës.

Gjithsej 143 kryetar bashkie dhe 3.200 anëtarë të këshillit do të zgjidhen në dy entitetet në vend, respektivisht në Federatën e Bosnjë e Hercegovinës (FBeH) dhe në Republikën Srpska (RS) dhe distriktin Brçko, i cili ka një status të veçantë.

Partitë boshnjake marrin pjesë në zgjedhje me aleanca të ndryshme, ndërsa partitë serbe dhe kroate po anojnë drejt një aleance apo kandidati të vetëm.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Bosnjë e Hercegovinë, gjithsej 110 parti, 58 aleanca, 76 kandidatë të pavarur dhe 43 përfaqësues të pakicave marrin pjesë për votat e 3.4 milionë qytetarëve të regjistruar me të drejtë vote.

Derisa përgatitej për zgjedhje, Bosnjë e Hercegovina u godit nga shira të dendur dhe rrëshqitje dheu të premten që morën të paktën 18 jetë njerëzish.

Qendrat e votimit për zgjedhjet lokale në Bosnjë e Hercegovinë do të jenë të hapura deri në orën 19:00.

TRT Balkan / agjencitë