Më 13 nëntor në Serbi mbahen zgjedhjet për Këshillet Kombëtare të pakicave.     Foto: OSBE

Në zgjedhjet për këshillet kombëtare të pakicave në Serbi më 13 nëntor, shqiptarët e Luginës së Preshevës garojnë me 5 lista, ndërsa po aq pritet të kenë edhe boshnjakët për këshillin e tyre.

Më 13 nëntor në Serbi mbahen zgjedhjet për Këshillet Kombëtare të pakicave. Gjithsej 19 pakica kombëtare do të zgjedhin anëtarët e këshillave në zgjedhje të drejtpërdrejta, ndërsa 4 pakica – goranët, maqedonasit, kroatët dhe malazezët do të zgjedhin përfaqësues nëpërmjet kuvendit zgjedhor.
Shqiptarët e Luginës me 5 lista për KKSh
Shqiptarët në Luginën e Preshevës do të garojnë me lista të ndara për anëtarë të Këshillit Kombëtar Shqiptar. Në Komisionin Republikan Zgjedhor janë certifikuar gjithsej 5 lista.
“Partia Demokratike – Nagip Arifi”, do të ketë numrin rendor 1 në listën zgjedhore, Partia për Veprim Demokratik - Ragmi Mustafi” mban numrin 2, “Lëvizja e Progresit Demokratik – Shqiprim Musliu” garon me numrin 3, “Alternativa për Ndryshim - Levent Qazimi” me numrin 4 dhe “Partia Demokratike Shqiptare - Ragmi Mustafa” do të ketë numrin 5.
Listat e partive shqiptare kanë nga 15 kandidatë. Këshilli Kombëtar Shqiptar do të ketë gjithsej 15 anëtarë. Sipas Ligjit për Këshillet Kombëtare të pakicave kombëtare në Serbi, Këshillet Kombëtare mund të kenë nga 15 deri 35 anëtarë, varësisht nga numri i popullsisë për pakicat përkatëse. Edhe pse më shumë në numër, shqiptarët kanë vetëm 15 anëtarë të Këshillit për shkak të bojkotimit të Regjistrimit të fundit të popullsisë në Serbi.
Kryetar aktual i KKSh-së është Ragmi Mustafa.
Boshnjakët me 3 lista të konfirmuara, priten edhe dy të tjera
Boshnjakët e Sanxhakut deri tani kanë certifikuar 3 lista për Këshillin Kombëtar Boshnjak.
“Bashkimi Boshnjak – Sulejman Ugljanin”, “Partia Demokratike e Sanxhakut - Husein Memiç” dhe “Partia e Drejtësisë dhe Pajtimit – Misala Pramenkoviç” kanë konfirmuar listat e tyre.
Sipas raportimeve, listë për këto zgjedhje pritet të dorëzojnë edhe Esad Xhuxho dhe Admir Muratoviç.
Të gjitha listat janë me nga 35 kandidatë, po aq sa numëron Këshilli Kombëtar i Boshnjakëve në Serbi.

Kompetencat dhe funksionimi i Këshilleve Kombëtare
Këshillet Kombëtare të pakicave janë krijuar për ruajtjen dhe avancimin e të drejtave të pakicave kombëtare në Serbi. Kompetencat e tyre kanë të bëjnë kryesisht me arsimin, kulturën dhe të drejtat kombëtare të pakicave. Këshillet Kombëtare mund të inicojnë hartimin ose ndryshimin e ligjeve, marrin pjesë në përpilimin e ligjeve që kanë të bëjnë me pakicat dhe ndjekin zbatimin e këtyre ligjeve.
Ata mund të themelojnë institucione arsimore e kulturore, zgjedhin festat kombëtare, por edhe propozojnë ose këshillohen lidhur me emërimet e kuadrove në disa funksione në nivel qendror dhe lokal, në fushat që prekin arsimin, kulturën dhe të drejtat kombëtare të pakicave.
Anëtarët e Këshilleve Kombëtare zgjidhen në zgjedhje të drejtpërdrejta, me sistemin proporcional të D’Hontit. Në mbledhjen e parë konstituive, anëtarët e rinj të Këshilleve Kombëtare zgjedhin kryetarin e Këshillit Kombëtar me shumicë votash.
Këshillet Kombëtare kanë mandat katërvjeçar.

TRT Balkan