Seanca e sotme e Kuvendit të Shqipërisë nisi me tensione për shkak se deputetët e opozitës bllokuan sërish foltoren e Kuvendit me karrige, ndërsa ndezën tymuese në sallë. Seanca do të diskutonte projektbuxhetin dhe paketën fiskale 2024. Të pranishëm në seancën plenare ishin anëtarët e kabinetit dhe Kryeministri Edi Rama për të diskutuar projektbuxhetin.
Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla nisi seancën me leximin e rendit të ditës dhe njoftimeve, e ndërprerë nga deputetë të opozitës. Pas leximit të rendit të ditës, deputetë të opozitës ndezën tymuese në sallë.
Në imazhe shihet edhe zjarr brenda sallës së Kuvendit të Shqipërisë.
Bllokimi i seancës ishte paralajmëruar që përpara nisjes, nga kryetari i grupimit të Rithemelimit të Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Ai deklaroi se po afron dita dhe momenti kur shqiptarët do të hidhen në një protestë pa kthim ndaj këtij regjimi.
“Rëndësi jetike ka që ne të vazhdojmë këtë betejë pa kthim, të bindur se po afron dita dhe momenti kur shqiptarët do të hidhen në një protestë pa kthim ndaj këtij regjimi”, u shpreh Berisha.