Rreth 300 zjarrfikës nga të gjitha komunat malazeze protesojnë sot para Qeverisë të Malit të Zi, të pakënaqur nga niveli i pagës.
Zjarrfikësit kërkojnë nga kryeministri Dritan Abazoviq që paga t’u llogaritet sikurse policisë, armatës dhe punonjësve mjekësorë.
Kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve Goran Tripkoviq tha se që nga viti 2015 po përpiqen të arrijnë ndryshime ligjore.
“Pas të gjitha premtimeve nga të gjithë ministrat, gjithçka ngeli vetëm në letër”, tha Tripkoviq.
Tripkoviq thotë gjithashtu se në shumë komuna zjarrfikësit kanë mungesë të pajisjeve të domosdoshme për punë.
Abazoviq premton zgjidhje
Kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviq ka takuar zjarrfikësit protestues dhe ka premtuar zgjidhje për kërkesat e tyre. Nëpërmjet një njoftimi në Telegram, Abazoviq tha se pagat e zjarrfikësve do të rriten me ndryshime ligjore deri në fund të vitit.
“Deri më 31 dhjetor do të ndryshojë ligji dhe do të rritet koeficienti i pagës së zjarrfikësve. Është bërë listë e të gjithë zjarrfikësve dhe pjestarëve të armatës ose vullnetarëve dhe i është dërguar Ministrisë së Financave, për të paguar dëmshpërblimet e premtuara për sezonin e zjarrit", thotë Abazoviq.
Ndryshe, ai theksoi se solidarizohet me zjarrfikësit dhe i mbështet në kërkesën për zgjidhje sistematike të statusit të tyre.