Aftësitë digjitale do të bëhen gjithnjë e më të nevojshme për tregun modern të punës, besojnë këshilltarët e karrierës, dhe rekomandimet kryesore janë që programet e reja arsimore të fokusohen në sfidat që do të sjellë inteligjenca artificiale dhe që punëtorët të investojnë në njohuri të reja nga bota kibernetike.
Sipas treguesit të Komisionit Europian për aftësitë digjitale bazë ose mbi mesataren, Shqipëria është në fund të rajonit.
Të dhënat e Eurostatit tregojnë se mbi gjysma e popullsisë brenda vendeve anëtare të BE-së ka aftësi digjitale bazë ose mbi mesataren, ose gjithsej 53,92 për qind. Për krahasim, mesatarja në vendet e Ballkanit Perëndimor për këtë nivel të aftësive digjitale, për të cilat ka të dhëna, është 36,31 për qind.
Përqindja e popullsisë me aftësi digjitale bazë ose mbi mesataren
Shqipëria 23,8%
Maqedonia e Veriut 34,62%
Bosnja e Hercegovina 34,65%
Serbia 41,3%
Mali i Zi 47,21%
Në Shqipëri, vetëm 23,8% e popullsisë e ka këtë nivel të aftësive digjitale, e ndjekur nga Maqedonia e Veriut, me 34,62%.
Bosnja e Hercegovina renditet pak më mirë me 34,65 për qind, në Serbi niveli i aftësive digjitale që janë bazë ose mbi mesataren e zotërojnë 41,3 për qind e qytetarëve dhe Mali i Zi renditet më së miri me 47,21 për qind ose pothuajse gjysma e popullsisë e ka këtë nivel të shkathtësive digjitale.
Nga vendet që janë anëtare të Bashkimit Evropian dhe janë nga rajoni, sipas këtij treguesi, më keq renditet Rumania me 27,82%, e ndjekur nga Bullgaria me 31,18%. Nga rajoni mbi mesataren evropiane ndodhet Kroacia, ku madje 63,37% e popullsisë ka aftësi digjitale bazë ose mbi mesataren.