Rama: Shqipëria e parë në Europë për rritjen e fluksit të fluturimeve.     /Foto: Edi Rama/Facebook

Shqipëria prej muajsh kryeson renditjen e vendeve me rritjen më të mëdha në ulje – ngritje të avionëve civil.

Ndërsa publikoi statistika nga “EUROCONTROL”, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama u shpreh se kthesa e madhe ka kohë që ka nisur.

“Ja dhe Shqipëria turistike e para në Europë për rritjen e fluksit të fluturimeve, e pa hapur ende Aeroportin e ri Ndërkombëtar të Vlorës”, shkruan Rama.

Sipas tij, “kthesa e madhe ka kohë që ka nisur, po ky është viti fantastik i shfaqjes së saj në sytë e të gjithëve, si fakt i pamohueshëm i përpjekes së gjithanshme të gjithë këtyre viteve, duke u nisur nga vrima e fundit e kavallit”.

Në 6 muajt e parë të këtij viti, pra periudhën janar-qershor 2023, Shqipërinë e kanë vizituar rreth 3,4 milionë turistë, njoftoi kohë më parë ministrja e Turizmit dhe e Mjedisit, Mirela Kumbaro.

Ky numër është për 33% më i madh krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Në 6 muajt e parë të vitit 2022 Shqipërinë e kishin vizituar 2,5 milionë të huaj.

Dallimi është edhe më i madh krahasuar me vitin 2019, vit i cili merret si referencë statistikore për periudhën para pandemisë. Gjatë gjysmës së parë të vitit 2019, Shqipërinë e vizituan 2,13 milionë turistë të huaj.

Turizmi në Shqipëri është në rritje konstante, ndërsa raporte të ndryshme tregojnë se Shqipëria është ndër vendet e para në botë për rimëkëmbjen e performimit turistik pas pandemisë.


TRT Balkan / agjencitë