Gati se 2/3 e kompanive në Bashkimin Evropian të cilat kërkonin ekspertë të teknologjisë informatike dhe të komunikimit kishin vështirësi të gjenin staf adekuat. Sipas zyrës evropiane të statistikës – Eurostat, 9,5% e kompanive në BE raportuan se gjatë vitit 2021 rekrutuan ose po përpiqeshin të rekrutojnë specialistë të IT-së dhe komunikimit, ndërsa 62,8% prej tyre kishin vështirësi në plotësimin e vendeve të lira.
Mes vendeve anëtare të BE-së, në Slloveni (78%), Çeki (77%) dhe Gjermani (76,6%), mbi tri të katërtat e ndërmarrjeve që rekrutuan ose u përpoqën të rekrutonin specialistë të IT-së dhe komunikimit kishin vështirësi në plotësimin e vendeve të lira.
Pas tyre pasojnë Luksemburgu (70,9%) dhe Holanda (70,4%), me një pjesë të konsiderueshme të bizneseve që përballeshin me të njëjtat vështirësi.
Vështirësitë që hasën kompanitë gjatë përpjekjes për të rekrutuar specialistë të teknologjisë informatike dhe të komunikimit ishin mungesa e aplikimeve, mungesa e kualifikimeve dhe përvojës përkatëse si dhe pritshmëritë e larta për paga.
Eskpertë të IT-së vështirë gjenden edhe në Ballkan
Megjithëse me një mesatare pak më të ulët sesa në BE, edhe kompanitë në vendet e Ballkanit përballen me vështirësi për të punësuar ekspertë të IT-së dhe komunikimit.
Sipas Eurostat-it, 67,8% e kompanive në Shqipëri kishin vështirësi të rekrutojnë staf në këtë profesion. Pas Shqipërisë vijnë Bosnjë e Hercegovina (64,5%), Maqedonia e Veriut (58,2%), Serbia (53,9%) dhe Mali i Zi (41,6%) me përqindjen më të lartë të kompanive në vështirësi për të gjetur punonjës të teknologjisë informatike dhe të komunikimit. Eurostat-i nuk ka të dhëna për Kosovën.
Teknologjia informatike dhe e komunikimit është bërë pjesë përbërëse e funksionimit të bizneseve. Shumica e kompanive synojnë të përshtatin punën me epokën e re digjitale dhe të shfrytëzojnë teknologjitë e reja për mirëmbajtjen dhe menaxhimin e të dhënave, por edhe për të maksimizuar përhapjen dhe fuqizimin e markës.