Kompjuteri i emëruar "Apple 1" i prodhuar në vitet 1976-1977 nga themeluesit e kompanisë Apple, Steve Wozniak dhe Steve Jobs, do të shitet në ankand.
Sipas informacionit të ndarë nga shtëpia e ankandit "RR Auction" me seli në Boston të ShBA-së, kompjuteri, i cili u shit për rreth 666 dollarë në vitin 1980, ka një tastierë të integruar dhe një kuti të prodhimit të veçantë.
Kanë filluar të merren ofertat e para për kompjuterin që do të shitet më 24 gusht në ankand dhe i rifunksionalizuar nga eksperti i Apple, Corey Cohen, në fillim të këtij viti.
"Apple 1" i nënshkruar nga Wozniak në vitin 2017 pritet të shitet për rreth 200.000 dollarë në ankand.
Krahas "Apple 1" është vënë në shitje edhe një çek banke i nënshkruar nga Jobs dhe Wozniak më 19 mars 1976.
Oferta për çekun, i cili i është shkruar kompanisë së prodhuesit të pllakave të qarkut, Ramlor, prej rreth 117 dollarë, ka shkuar në mbi 50 mijë dollarë.
Steve Wozniak, Steve Jobs dhe Ronald Wayne themeluan kompaninë me famë botërore Apple më 1 prill 1976, në një garazh në Kaliforni.
Në vitet e para të kompanisë, Jobs dhe Wozniak ishin detyruar të shisnin disa nga sendet e tyre personale për të financuar prodhimin e kompjuterit "Apple 1".
Nga afro 200 "Apple 1" që Wozniak dhe Jobs prodhuan në 1976-1977, rreth 175 u shitën në atë kohë.
Njëri nga prototipet e "Apple 1" u shit për rreth 700.000 dollarë në vitin 2022.