Lista e shteteve në Shtetet e Bashkuara të Amerikë që e kanë ndaluar TikTok-un nga telefonat e përdorur për punë qeveritare për arsye të sigurisë kibernetike po vazhdon të rritet, së fundmi me Uiskonsin dhe Karolinën e Veriut.
“Sapo kam nënshkruar një urdhër ekzekutiv duke përjashtuar TikTok-un dhe teknologji të tjera të mundshme që rrezikojnë sigurinë kibernetike në pajisje të përdoruara për punë qeveritare,” ka shkruar qeveritari i Uiskonsinit Tony Evers në Twitter.
“Mbrojtja e teknologjisë dhe infrastrukturës së sigurisë kibernetike ashtu si dhe e privatësisë digjitale do të vazhdojë të jetë prioriteti ynë kryesor,” shtoi ai.
I hedhur në qarkullim në vitin 2016, aplikacioni për shpërndarjen e videove i zotëruar nga kinezë është përhapur në mënyrë masive në vitet e fundit duke arritur shifrën e 755 milionë përdoruesve globalë në 2022.
Dy të tretat e adoleshentëve amerikanë tashmë janë përdorues të TikTok-ut.
Por, është kritikuar që e ka lejuar qeverinë kineze të ketë qasje në informacionet personale të përdoruesve, përfshirë vendodhjen dhe historinë e kërkimit.
Ushtria e Shteteve të Bashkuara e ka ndaluar TikTok-un në pajisjet ushtarake dhe Senati ka miratuar një urdhëresë në dhjetor të vitit të kaluar me të cilën ua ndalonte punonjësve federalë të përdornin TikTok-un në pajisjet qeveritare.
Ndalimi i TikTok-ut në pajisjet qeveritare filloi në vitin 2022
Në janar 2023, së paku 26 shtete i kanë ndaluar pjesërisht ose plotësisht zyrtarët dhe punonjësit të përdorin TikTok-un në pajisjet e punëve qeveritare.
Florida ishte shteti i parë që lëshoi një ndalesë në vitin 2020 duke u ndjekur më pas nga Nebraska.
“Si një aplikacion që zotërohet nga një kompani në Kinë, TikTok-u është i ndaluar ligjërisht të japë informacione nga përdoruesit për kërkesat e regjimit komunist të vendit,” tha Qeveritari i Nebraskës Pete Ricketts.
Qeveritari i Dakotës së Jugut Kristi Noem firmosi një urdhër ekzekutiv në nëntor të vitit të kaluar duke ndaluar agjencitë shtetërore dhe punonjësit të përdornin TikTok-un në pajisjet qeveritare.
Sipas Noem, “Partia Komuniste Kineze përdor informacionin e marrë në TikTok për t'i manipuluar amerikanët, dhe mbledhin informacione nga pajisjet në të cilat është përdorur platforma.”
Në 13 dhjetor të vitit 2022, Zyra Maryland e Menaxhimit të Sigurisë publikoi një udhëzim të sigurisë kibernetike për të ndaluar platformën e njohur të medias sociale si “një rrezik i një niveli të papranueshëm për sigurinë kibernetike të shtetit” si “spiunimi kibernetik” ose “mbikëqyrja e autoriteteve qeveritare”.
Një ditë më vonë, Indiana paditi TikTok-un, duke pohuar që po mashtron përdoruesit në lidhje me qasjen e Kinës në të dhënat e tyre dhe duke i ekspozuar fëmijët ndaj përmbajtjeve për të rriturit. Zyra e Teknologjisë të Indianas mbylli qasjen në videot e shkurtra që shpërndaheshin në pajisjet telefonike të përdoruara nga qeveria.
Teksas, Oklahoma, Tenese, Utah, Alabama, Loua, Dakota e Veriut, Idaho, Hampshire i Ri, Xhorxhia, Virgjinia, Montana, Virgjinia Perëndimore, Louisiana, Pensilvania dhe Kansas u janë bashkëngjitur shteteve të tjera për të ndaluar TikTok-un në vitin 2022.
Më shumë shtete ndalojnë TikTok-un në 2023
Qeveritari i Ohios Mike DeWine firmosi një urdhër ekzekutiv më 8 janar duke e ndaluar përdorimin e TikTok-ut në pajisjet e zotëruara nga qeveria, duke pohuar se qeveria kineze po përdor platformat e rrjeteve sociale si “mekanizma të mbledhjes së inteligjencës".
Ohio gjithashtu i ka ndaluar rrjetet e internetit dhe aplikacionet e Kinës duke përfshirë Tencent, WeChat, Weibo dhe DingTalk.
New Jersey publikoi një udhëzues të sigurisë kibernetike më 9 janar për të përjashtuar përdorimin e “softuerëve me rrezik të lartë” si TikTok, Alibaba dhe WeChat në pajisjet qeveritare.
Arkansas, Uiskonsin, Misisipi dhe Karolina e Veriut gjithashtu kanë ndaluar zyrtarët e qeverisë dhe punonjësit të përdorin TikTok-un në pajisje të shtetit në vitin 2023.