Profesori nga Kosova zbuloi insektin që jeton vetëm në Bjeshkët e Sharrit

Një lloj i ri insekti, i cili jeton vetëm në Bjeshkët e Sharrit, është zbuluar së fundmi në Kosovë, nga një grup studiuesish në krye me biologun Halil Ibrahimi. Insekti i quajtur Potamophylax humoinsapiens i takon grupit të insekteve ujore, përkatësisht rendit Trichoptera. Ky lloj është gjetur në 3 lokalitete, në habitate ujore prej 1.416 deri në 1.505 metra lartësi mbidetare në Bjeshkët e Sharrit.

Profesori Ibrahimi shpjegon për TRT Balkan procesin dhe rëndësinë e zbulimit të këtij insekti endemik të Kosovës.

“Pas analizave morfologjike dhe molekulare ka rezultuar se është fjala për lloj të paregjistruar më herët në literaturën shkencore”, shpjegon profesori Ibrahimi.

Studimi i përgatitur për këtë insekt, shpjegon Ibrahimi, është publikuar në revistën prestigjioze të Biologjisë, Biodiversity Data Journal.

Puna për studimin e insektit të paregjistruar më parë ka nisur që në vitin 2009, kur janë gjetur dy ekzemplarë të këtij insekti, në degët e lumenjve Lepenc dhe Lumbardhi i Prizrenit.

“Megjithatë, për shkak të numrit të vogël të ekzemplarëve, ne nuk e përshkruanim atë si një specie të re në atë kohë. Gjatë vitit 2021, mblodhëm një numër të madh ekzemplarësh meshkuj dhe, bazuar në një analizë në shkallë të gjerë të më shumë se 40 ekzemplarëve meshkuj, kuptuam se ndryshimet në formën e parametrave, modelin e shtyllës kurrizore, shtojcat inferiore dhe karakteret e tjera janë të qëndrueshme dhe lehtësisht të dallueshme nga të gjitha speciet e tjera të këtij grupi speciesh”, thonë studiuesit.

Ekzemplarët janë kapur duke përdorur kurthe të dritës ultravjollcë. Mostrat janë ruajtur në 90% etanol dhe janë dorëzuar në Departamentin e Biologjisë të Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore në Universitetin e Prishtinës.

Profesori Ibrahimi thotë se ky zbulim është i rëndësishëm për shkak të rëndësisë së hulumtimit të këtyre insekteve të rralla dhe mbrojtjes së mjedisit nëpërmjet tyre.

“Ky grup i insekteve ka rol thelbësor në funksionimin e lumenjve dhe ekosistemeve përreth”, tha Ibrahimi për TRT Balkan.

Ai shpjegon se ky insekt është një nga 7 insekte të njohura deri tani që jetojnë vetëm në habitate në Kosovë.

“Deri më tani njihen 7 lloje të insekteve endemike të Kosovës nga ky grup i insekteve, pra që jetojnë vetëm në Kosovë gjë që e potencon Kosovën si një ndër zonat më të rendësishme në Evropë në pikëpamje të biodiversitetit”, shpjegoi Ibrahimi.

Në studimin e këtij insekti dhe përgatitjen e publikimit, përveç Ibrahimit, kanë marrë pjesë edhe Astrit Bilalli, Agim Gashi, Linda Grapci Kotori, Valentina Sllavevska Stamenkoviq dhe Donard Geci.

TRT Balkan