Arsimi dual kombinon arsimin profesional në shkollat e mesme profesionale me mësimin praktik në kompani ose institucion. Ky sistem praktikohet me sukses në disa vende, veçanërisht në Gjermani, Austri, Zvicër dhe në komunitetin gjermanishtfolës të Belgjikës, por prej disa vitesh edhe në Korenë e Jugut.
Qëllimi është përgatitja e fuqisë punëtore me aftësi që i kërkon tregu, duke krijuar të rinj konkurrentë dhe fuqi punëtore të kualifikuar.
Viteve të fundit, edhe vendet e Ballkanit po synojnë të përvetësojnë këtë sistem.
Kosova me 12 drejtime profesionale
Kosova ka filluar të praktikojë arsimin dual që nga viti i kaluar, me përfshirjen e 4 shkollave profesionale në 3 komuna të ndryshme. Në vitin e parë arsimi dual funksiononte në 4 drejtime profesionale: kuzhinier, asistent i mikpritjes hotelierike (kamerier), floktar e murator.
Ministria e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë njoftoi se nga viti i ri shkollor 2023/2024, arsimi dual do të zgjerohet edhe me 8 drejtime të reja: rrobaqepës, automekanik, metal përpunues, përpunues i drurit, instalues i ngrohjes dhe klimatizimit, instalues elektrik, tregti me shumicë dhe pakicë, estetist.
Qeveria bashkëpunon me komunitetin e biznesit, të cilët ofrojnë mundësi për aftësimin e nxënësve në profilet e përfshira në sistemin dual.
Maqedonia e Veriut stimulon nxënësit të zgjedhin arsimin dual
Arsimi profesional dual në Maqedoninë e Veriut filloi në vitin shkollor 2017/2018, ndërsa është intensifikuar në vitin 2020. Si rezultat i intensifikimit të aktiviteteve në vitin shkollor 2022/2023, arsimi dual është realizuar në 225 paralele në 61 shkolla të mesme profesionale, me 2.763 nxënës të regjistruar dhe në bashkëpunim me 450 kompani.
Numrat për vitin e ardhshëm shkollor janë edhe më të larta. Në konkursin për regjistrimin e nxënësve në shkollat e mesme publike për vitin shkollor 2023/2024 janë parashikuar 259 paralele duale me gjithsej 6.475 vende për nxënës, në bashkëpunim me mbi 500 kompani.
Ministria e Arsimit dhe e Shkencës e Maqedonisë së Veriut stimulon nxënësit e regjistruar në arsimin dual me bursa mujore në vlerë prej 3.500 denarësh (rreth 57 euro) për 9 muaj në vit.
Mbi 10 mijë nxënës ndjekin arsimin dual në Serbi
Edhe Serbia, me synim të modernizojë arsimin, po praktikon arsimin dual. Sipas një njoftimi të qeverisë, me arsimin dual “Serbia synon të krijojë një shoqëri të bazuar në dije në të cilën njerëzit, idetë dhe risitë e tyre janë motori i përparimit”.
150 shkolla me 65 profile të arsimit dual janë të përfshira në sistemin e arsimit dual në Serbi. Ky lloj edukimi, sipas programeve të dyfishta, frekuentohet nga 10.500 nxënës, ndërsa bashkëpunohet me 700 kompani.
Shqipëria nuk e zbaton arsimin dual në shkollat e mesme
Nga vendet e rajonit, Shqipëria tani për tani nuk ka një projekt për arsimin dual në shkollat e mesme. Kjo është kritikuar edhe nga opozita, e cila madje ka premtuar vendosjen e arsimit dual në rast të ardhjes në pushtet.
Nga ana tjetër, ky sistem i arsimit po provohet nga universitetet në Shqipëri, si për shembull Universiteti Bujqësor i Tiranës, i cili praktikon arsimin dual në shkencat zooteknike.