Chatgpt - ilustrim / Foto: Reuters

Roboti më i ri ChatGPT-së i kompanisë me seli në San Francisko, OpenAI, u popullarizua tej mase së fundmi për aftësitë e jashtëzakonshme.

Roboti në fjalë është një aplikacion softuerik i cili mund të prodhojë tekst të ngjashëm me njeriun dhe shfrytëzohet për më shumë qëllime, nga shkrimi i tregimeve të shkurtra, proza, muzika, zgjidhje të problemeve matematikore, përkthime e madje edhe për t’iu ndihmuar përdoruesve për korrigjim të kodeve kompjuterike.

Por, së fundmi, disa shtete po mendojnë të ndalojnë aplikacionin. Dhe kjo vjen për shkak të shqetësimeve për privatësinë dhe sigurinë që janë shfaqur së fundmi rreth ChatGPT-së.

Italia ka ndaluar ChatGPT-në, po vijon hetimi

Italia tashmë ka ndaluar përkohësisht ChatGPT-në, chatbotin e popullarizuar të inteligjencës artificiale.

Javën e kaluar, Autoriteti Italian për Mbrojtjen e të Dhënave urdhëroi OpenAI të ndërpresë përkohësisht përpunimin e të dhënave të përdoruesve italianë. Gjithashtu, një hetim po zhvillohet për shkelje të dyshuar të rregulloreve strikte të privatësisë në Evropë.

Ky trup rregullator përmendi një shkelje të privatësisë në OpenAI, e cila i lejonte përdoruesit të shikonin titujt e bisedave që përdoruesit e tjerë po bënin me chatbotin.

Padi ndaj ChatGPT-së në ShBA

Qendra jofitimprurëse amerikane për Inteligjencën Artificiale dhe Politikën Digjitale (CAIDP) ka paraqitur një aplikim në Komisionin Federal të Tregtisë (FTC), ku kërkoi ndaljen e përdorimit të versionit të ri të ChatGPT-së.

Sipas mediave lokale, CAIDP-i paraqiti ankesë në FTC duke akuzuar OpenAI-në për shkelje të ligjit dhe udhëzimeve të padrejta dhe mashtruese të praktikave të biznesit të FTC-së për produktet e inteligjencës artificiale.

Ankesa në FTC kërkoi që laboratorët e OpenAI-së të hetojnë dhe të ndërpresin përdorimin e modelit më të ri të OpenAI-së, GPT-4.

Duke argumentuar se modeli më i ri GPT i OpenAI-së, GPT-4, "është mashtrues dhe paraqet rrezik për privatësinë dhe sigurinë publike", CAIDP-ja pretendoi se produktet e inteligjencës artificiale të kompanisë nuk plotësojnë standardet "transparente, të hapura dhe të përgjegjshme" në udhëzimet e FTC-së.

Një letër e hapur është publikuar nga “Future of Life Institute” për rreziqet që sjell inteligjenca artificiale për shoqërinë, ndërsa në të janë nënshkruar edhe emra si pronari i Twitterit, Elon Musk dhe bashkëthemeluesi i Apple, Steve Wozniak.

Kanadaja nis hetim për ChatGPT-në

Zyra Kanadeze e Mbikëqyrjes së Privatësisë njoftoi se kompania për zhvillimin e inteligjencës artificiale OpenAI ka nisur një hetim për robotin e inteligjencës artificiale ChatGPT.

Sipas lajmit të "The Canadian Press", në deklaratën nga Zyra e Mbikëqyrjes së Privatësisë, thuhet se hetimi ndaj kompanisë amerikane OpenAI ka nisur për shkak të ankesave për "mbledhje, përdorim dhe zbulim të paautorizuar të të dhënave personale".

Në deklaratë thuhet se detajet e hetimit nuk do të ndahen në këtë fazë, ndërsa raporti përfundimtar i hetimit do të ndahet me publikun.

Auditori Philippe Dufresne, përgjegjës për mbrojtjen e të dhënave personale në Kanada, tha se inteligjenca artificiale dhe efektet e saj në mbrojtjen e të dhënave personale janë ndër prioritetet e tyre kryesore. Ai theksoi se duhet të qëndrojnë përpara zhvillimeve teknologjike të shpejta.

Edhe Gjermania mund të bllokojë ChatGPT-në

Chatbot i popullarizuar i inteligjencës artificiale, ChatGPT, mund të bllokohet përkohësisht në Gjermani për shkak të shqetësimeve të privatësisë, tha komisari i vendit për mbrojtjen e të dhënave.

Ulrich Kelber, komisioneri federal për mbrojtjen e të dhënave, i tha gazetës së biznesit Handelsblatt se Gjermania mund të ndjekë Italinë në bllokimin e ChatGPT-së nëse është e nevojshme.

"Në parim, një procedurë e ngjashme është e mundur në Gjermani," tha ai. Sipas tij, çështja është nën juridiksionin e autoriteteve për mbrojtjen e të dhënave në shtetet federale.

Autoritetet gjermane kanë kontaktuar tashmë homologët e tyre italianë për të marrë informacion shtesë në lidhje me ndalimin e përkohshëm, raportojnë mediat lokale.

Ndërkohë, Ministria Federale e Digjitalizimit dhe Transportit të Gjermanisë ka paralajmëruar një ndalim të plotë të robotit ChatGPT.

Përderisa ChatGPT-ja ka treguar potencial të jashtëzakonshëm, shtetet do të duhet të hetojnë dhe pastrojnë dyshimet për shkeljen e mundshme të privatësisë. Nëse vërtetohen shkeljet, një numër i madh shtetesh mund ta ndjekin Italinë duke bllokuar robotin inteligjent në territorin e tyre.

TRT Balkan