Bota e digjitalizimit ka marrë përmasa të jashtëzakonshme gjithandej globit. Po ashtu, edhe përdorimi i inteligjencës artificiale në teknologji sa vjen e avancohet.
Së fundmi, Kompania me seli në San Francisko, OpenAI, e ka prezantuar robotin më të ri, ChatGPT.
Roboti në fjalë është një aplikacion softuerik i cili fitoi një milion përdorues vetëm pesë ditë pas lançimit në nëntor të vitit të kaluar.
Ky robot i cili mund të prodhojë tekst të ngjashëm me njeriun është shfrytëzuar për të gjitha llojet e përdorimeve, nga shkrimi i tregimeve të shkurtra, proza, muzika, zgjidhje të problemeve matematikore, përkthime e madje edhe për t’iu ndihmuar përdoruesve për korrigjim të kodeve kompjuterike.
Themeluesi i Microsoft, Bill Gates, ka paralajmëruar tashmë se roboti ChatGPT mund të zëvendësojë edhe njerëzit në punë.
Ditë më parë Microsoft konfirmoi një investim shumë milionëdollarësh në kompaninë amerikane OpenAI, krijuese e ChatGPT.
Askush si roboti ChatGPT
Për dallim nga roboti ChatGPT i cili arriti në kohë rekorde suksesin e tij, shërbimeve të tjera të njohura në internet në përgjithësi u është dashur shumë më tepër kohë për të arritur shifrën e një milion përdoruesve.
Instagrami më i përafërti
Platforma e njohur e mediave sociale Instagram arriti një milion përdorues në vetëm 2.5 muaj, megjithëse i matur nëpërmjet shkarkimeve të aplikacioneve.
Spotify dhe Dropbox gjithashtu e arritën sukses të shpejtë prej 1 milion përdoruesve në pesë, gjegjësisht shtatë muaj.
Rrjetit social më të popullarizuar në botë, Facebookut, i cili u themelua në vitin 2004 iu deshën 10 muaj që të arrijë në 1 milion përdorues.
Twitteri arriti shifrën e 1 milion përdoruesve pas 2 viteve nga themelimi i saj, ndërsa Netflixi 3 vjet e gjysmë.