Rritje rapide e shitjes globale të automjeteve elektronike.  / TRT Balkan

Shitjet globale të automjeteve elektrike (EV) u rritën me rreth 60 për qind në vitin 2022, duke tejkaluar 10 milionë për herë të parë, edhe pse shitjet e makinave në përgjithësi ishin jo aq të mëdha vitin e kaluar.

Si rezultat, një në çdo shtatë makina pasagjerësh të blera globalisht në 2022 ishte një EV, sipas një raporti të fundit nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA).

Në vitin 2017, vetëm një në çdo 70 makina të shitura ishte elektrike.

Duke përkuar me këtë trend, shitjet e makinave konvencionale me motorë me djegie të brendshme janë ulur me një të katërtën në pesë vitet e fundit.

Ndërsa shfaqen ndikimet mjedisore të automjeteve me gaz kundrejt atyre elektrike, më shumë njerëz mund të binden të blejnë një EV.

Në momentin e rritjes së çmimeve të naftës, u rrit edhe interesimi i njerëzve për të blerë automjete elektrike, kështu që me automatizëm në çdo rajon të botës u rrit si prodhimi, ashtu edhe shitja e tyre.

Norvegjia, rekordere e automjeteve elektrike në botë

Falë subvencioneve shtetërore, përqindja e makinave elektrike në Norvegji është më e larta në botë, ku në vitin 2020, pjesa e makinave të reja elektrike tejkaloi pjesën e makinave me motorë me djegie të brendshme. Mirëpo në vitin 2022, sipas Federatës Norvegjeze Rrugore Norvegjia vendosi një rekord të ri ku 79,3 për qind e makinave të shitura ishin elektrike.

Në vitin 2021, kishte vetëm 65 për qind të tyre. Numri i hibrideve plug-in 8,5 për qind, hibridët e tjerë 5,4 për qind, pjesa e makinave të reja thjesht me benzinë ishte vetëm 3,9 për qind dhe makinat me naftë 2,9 për qind.

Automjetet elekrike në Kinë, BE dhe ShBA

Tregjet për automjete elektrike (EV) që bien në sy pas Norvegjisë rekordere janë në Kinë, ku një në çdo katër makina të blera në vitin 2022 ishte një EV, e pasuar nga Bashkimi Evropian me një në pesë dhe Shtetet e Bashkuara, ku gati një në dhjetë makina të blera vitin e kaluar ishte EV.

Ndërkohë, shitjet totale të makinave ranë afër 0,5 për qind, në rreth 75 milionë në vitin 2022, pas rritjes në 2021. Tregjet e makinave u tkurrën më së shumti në ShBA dhe BE, përkatësisht me 8 për qind dhe 4 për qind. Kjo ishte pjesërisht për shkak të mungesës së komponentëve, si dhe rritjes së inflacionit dhe normave më të larta të interesit. Megjithatë, vende si Kina panë rritje të shitjeve të makinave të pasagjerëve me më shumë se 10 për qind.

Kërkesë e madhe për veturat TOGG

Jo më larg se para 2 javësh doli në treg vetura e parë elektrike turke e quajtur TOGG.

Përfaqësuesit e industrisë turke të veturave njoftuan se vetura e parë TOGG e prodhuar në vend është shumë e kërkuar në treg dhe se 100 mijë paraporosi janë marrë brenda shtatë ditëve.

Çmimi i modelit TOGG T10X është 953.000 lira (rreth 46.000 euro), ndërsa blerësit do ta marrin veturën e porositur brenda këtij viti.

TRT Balkan