Një zbulim i rrallë ka dalë në dritë në Buqezë të Pogradecit, pranë lokalitetit arkeologjik të Linit. Prej 8.500 vjetësh aty ekziston vendbanimi palafit më i vjetër në Evropë.
Arkeologët e Universitetit të Bernës në bashkëpunim me arkeologët shqiptarë kanë konfirmuar zbulimin e vendbanimit palafit (ndërtim mbi pilota druri ngulur në liqen), që i ka entuziazmuar mjaft.
“Ky zbulim i ri, përveç se ka vlerë të padiskutueshme historike dhe arkeologjike, do të jetë një pikë e re referimi për turizmin tonë”, është shprehur prefekti i Korçës, Nertil Jole.
Gjetjet pas gërmimeve kanë faktuar se ky vendbanim i lashtë, ishte qendra ku 8.500 vjet më parë ka qenë zhvilluar bujqësia, zejtaria dhe peshkimi.
Albert Hafner, drejtor i Institutit të Arkeologjisë në Universitetin e Bernës dhe Adrian Anastasi thanë se kemi të bëjmë me një vendbanim shumë më të lashtë se ato të gjetura në pjesën jugore të Italisë e në gjithë Europën.
Madje, arkeologët zviceranë pohuan se vendbanimi palafit i Linit është 2 mijë vjet më i vjetër se ato të gjetura në Zvicër.
Eskpeditë arkeologjike prej dy vitesh
Stafi shqiptaro-zviceran, drejtuar nga arkeologët Adrian Anastasi dhe Albert Hafner, po zhvillojnë një ekspeditë kërkimore arkeologjike.
Kjo ekspeditë ka nisur prej vitit 2021 dhe po zhvillohet në tri shtete: Shqipëri, Maqedoni e Veriut dhe Greqi, por tanimë fokusi është përqendruar në sitin e Linit, nga vijnë edhe rezultatet e para, të cilat do të plotësohen me përmbylljen e gërmimeve të këtij viti.
Sipas specialistëve, mbështetur mbi dijet e deritanishme, vendbanimet palafite bregliqenore në Lin janë më të vjetrat në Europë dhe ky burim informacioni konsiderohet si një ndër më të rëndësishmit në llojin e vet në rang botëror.
Sipas raportit të hartuar nga Anastasi e Hafner, materialet organike drusore të zbuluara në sitet nënujore ose të mbuluara me sediment në Liqenin e Ohrit ose në bregun e liqenit, dëshmojnë për një vendbanim të hershëm fermerësh, që daton rreth 5.900 – 5.800 para Erës së Re.
Analizat me metodën e radiokarbonit po kryhen në Laboratorin C14 në Universitetin e Bernës, që është një nga partnerët në këto kërkime, së bashku me Institutin e Arkeologjisë, financuar nga Bashkimi Evropian.