Fillon Samiti i parë botëror për sigurinë e IA-së në Britani të Madhe.     /Foto: Reuters

Në Mbretërinë e Bashkuar filloi Samiti i parë global i sigurisë së inteligjencës artificiale (IA).

Organizuar nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, samiti po mbahet nën masa të rrepta sigurie në Bletchley Park pranë qytetit Milton Keynes, ndërsa ministrat e Teknologjisë nga shumë vende po diskutojnë avantazhet e IA-së, duke përfshirë zbulimin transformues dhe avancues të ilaçeve, transport më të sigurt dhe më të pastër, përmirësimin e shërbimeve publike, si dhe përshpejtimin dhe përmirësimin e diagnostikimit dhe trajtimit të sëmundjeve.

Samiti i sigurisë së IA-së "do të fokusohet në mënyrën se si të menaxhohen më së miri rreziqet nga avancimet më të fundit në IA", thuhet në një deklarate të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.

Kryeministri britanik Rishi Sunak ka paraqitur qëllimet e samitit si dakordimi mbi rreziqet e IA-së dhe informimi se si mund të menaxhohen ato, një bashkëpunim më i mirë ndërkombëtar dhe se si inteligjenca artificiale e sigurt mund të përdoret për mirë në shkallë globale.

Sunak tha se ai do t'u bashkohet përfaqësuesve botërorë dhe liderëve të biznesit "për të çuar përpara këto bisedime të rëndësishme".

“Ne do të diskutojmë se si duket IA-ja në pesë vitet e ardhshme dhe veprimet që do të duhet të ndërmarrim për të siguruar që ajo të zhvillohet në mënyrë të sigurt, si në afat të shkurtër ashtu edhe në atë afatgjatë”, shtoi ai.

Fokusi në identifikimin e rreziqeve të sigurisë së IA-së

Deklarata e nënshkruar nga 28 vende tha se bashkëpunimi dhe agjenda për adresimin e kufirit të rrezikut të IA-së do të fokusohet në "identifikimin e rreziqeve të sigurisë së IA-së me interes të përbashkët, ndërtimin e një kuptimi të përbashkët shkencor dhe të bazuar në prova të këtyre rreziqeve dhe mbështetjen e këtij kuptimi pasi aftësitë vazhdojnë të rriten në kontekstin e një qasjeje më të gjerë globale për të kuptuar ndikimin e IA-së në shoqëritë tona”.

Më tej, thuhet se fokusi gjithashtu do të jetë në “ndërtimin e politikave përkatëse të bazuara në rrezikun në të gjitha vendet tona për të garantuar sigurinë në vazhdën e rreziqeve të tilla, duke bashkëpunuar sipas nevojës duke pranuar se qasjet tona mund të ndryshojnë në varësi të rrethanave kombëtare dhe kornizave ligjore të zbatueshme".

“Kjo përfshin, përveç rritjes së transparencës së aktorëve privatë që zhvillojnë aftësi të kufizuara të IA-së, matjet e duhura të vlerësimit, mjetet e testimit të sigurisë dhe zhvillimin e aftësive përkatëse të sektorit publik dhe kërkimit shkencor”, thuhet gjithashtu në deklaratë.

TRT Balkan / agjencitë