Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë Igli Hasani duke komentuar rezultatet e fundit të zgjedhjeve parlamentare në Maqedoni të Veriut tha se e ardhmja e përbashkët është Bashkimi Europian.
Sipas tij, rezultati i arritur nga shqiptarët në Maqedoninë e Veriut është një rezultat historik për të ardhmen bashkëjetesës mes etnieve, feve e kulturave në harmoni dhe respekt të ndërsjellë.
“Përshëndes rezultatin historik të shqiptarëve në zgjedhjet e 8 majit 2024 në Maqedoninë e Veriut. Për të gjithë ne, e tashmja ka vetëm një emërues të përbashkët: bashkëjetesën mes etnive, feve e kulturave në harmoni e respekt të ndërsjellë. E ardhmja lëviz vetëm në një kah: drejt Bashkimit Europian dhe familjes së vendeve demokratike“, shkruan Hasani në rrjetet sociale.
Në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut partia opozitare VMRO-DPMNE fitoi zgjedhjet e dyfishta për President dhe Parlament të ri. Blloku shqiptar në këto zgjedhje garoi me dy blloqe të cilët bashkërisht fituan 32 deputetë, respektivisht Fronti Evropian 19 deputetë dhe koalicioni VLEN 13 deputetë.