Bari Iseni, shpallet kampion i kuizeve në Maqedoninë e Veriut.

Shoqata e Kuizit të Maqedonisë së Veriut (ShKMV) ka shpallur listën finale të renditjes për sezonin 2022/23.

Me 669 pikë të fituara, Bari Iseni është pjesëmarrësi më i mirë për sezonin 2022/23, ndërsa vend në podium ka edhe Zhan Pavlov (639,5 pikë) dhe Zlatko Dimitrioski (509,25 pikë).

Këtë sezon, organizuar nga ShKMV-ja, u mbajtën katër Master turne në katër qytete të ndryshme (Shkup, Tetovë, Negotinë dhe Ohër), nëntë kuize tematike, si dhe tri kuize tematike ekspozuese me temë të lirë, të cilat, përveç qyteteve të lartpërmendura u zhvilluan edhe në Manastir, dhe një pjesë e kuizeve edhe jashtë kufijve të Maqedonisë, pra në Lubjanë të Sllovenisë dhe Tel Aviv të Izraelit.

Më shumë se 70 garues u shfaqën në të 16 kuizet, që sipas Shoqatës së Kuizit vlerësohet si një numër i madh duke shpresuar se do të rritet në sezonet e ardhshme.

“Urime të gjithë pjesëmarrësve për rezultatet e shfaqura këtë sezon, dhe falënderime të veçanta për të gjithë autorët e kuizeve, kuizmasterët, organizatorët dhe miqtë tanë që ndihmuan në përgatitjen dhe organizimin e kuizeve”, kështu thuhet në komunikatën e Shoqatës së Kuizit.

Kampion i kuizeve në Maqedoninë e Veriut, Bari Iseni, duke folur për TRT Balkan, shprehet se ishte një ndjesi e veçantë që në mesin e garuesve të shumtë të kuizit të shpallet fitues i sezonit të parë të organizuar nga ShKMV-ja.

“Para se gjithash është një krenari dhe motiv shtesë edhe në të ardhmen të vazhdojmë me entuziazëm me kuizet e sidomos në fillim të qershorit së bashku me kuiz entuziastët nga shteti ynë do të marrim pjesë në kampionatin botëror, ku shpresoj në një përfaqësim të denjë dhe të arrijmë rezultate solide që është synim i ShKMV-së”, deklaroi Iseni.

Pas përfundimit të këtij sezoni siç njoftojnë nga Shoqata e Kuizit të Maqedonisë së Veriut po bëhen përgatitjet për pjesëmarrje të garuesve të këtij vendi edhe në kampionatin botëror i cili është planifikuar të mbahet në fundjavën e parë të qershorit.

TRT Balkan