Mbledhja e 16-të e Këshillit të Stabilizim-Asocimit mes Bashkimit Evropian dhe Maqedonisë së Veriut u mbajt sot për herë të parë në Shkup.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, tha se kjo është dëshmi e qartë se BE-ja i afrohet Ballkanit Perëndimor dhe dëshmon se ky rajon është dhe do të jetë pjesë e rëndësishme e dimenzionit gjeopolitik të Brukselit.
Borrell tha se perspektiva e Maqedonisë së Veriut është në Bashkimin Evropian, por nënvizoi nevojën për ndryshime kushtetuese.
“Duhet të punojmë që gjërat të ndodhin. Maqedonia e Veriut ka marrë obligim ta ndryshojë Kushtetutën dhe t’i përfshijë etnitë e tjera, siç janë bullgarët. Këtu nuk ka asgjë të habitshme. Nëse e shihni anëtaren më të re të BE-së, Kroacinë, i ka të paktën 22 bashkësi etnike në shtet. Vendi juaj tashmë po jep shembull të shkëlqyer të një shoqërie multietnike. Ndryshimi i Kushtetutës vetëm do t’i avancojë të drejtat themelore”, theksoi Borrell.
Komisari Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë, Oliver Varhelyi, tha se Maqedonia e Veriut do të bëhet anëtare e BE-së në të ardhmen e afërt, por, se kjo do të ndodhë më herët ose më vonë, varet nga zbatimi i reformave.
“Shteti nuk duhet të ngadalësojë, por të përshpejtojë procesin e reformave. Vërtet duhet që Qeveria dhe Kuvendi ta përshpejtojë punën lidhur me reformat”, tha Varhelyi.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, premtoi angazhim më të madh të Qeverisë për të gjitha obligimet e marra në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Qeveria të cilën e udhëheq edhe në periudhën e ardhshme do të bëjë përpjekje maksimale që të rrumbullakësojmë fazën e hapjes së bisedimeve për anëtarësim dhe të mundësojmë dinamikë më të lartë të bisedimeve me BE-në”, tha Kovaçevski.
Me të ashtuquajturin “propozim francez”, të cilin e miratoi Kuvendi vitin e kaluar, Maqedonia e Veriut duhet të ndryshojë Kushtetutën për të kaluar në fazën tjetër të bisedimeve me BE-në, që është pjesa përmbajtësore me hapjen e kapitujve.