Këshilltari i Sekretarit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka zhvilluar biseda telefonike me krerët shtetërorë të Maqedonisë së Veriut. Çështja e korrupsionit ishte ndër temat më të rëndësishme në bisedat e Chollet me presidentin e Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski dhe kryeministrin Dimitar Kovaçevski.
“Mundësi e shkëlqyer për të folur me presidentin Pendarovski për partneritetin e fuqishëm në NATO, presidencën e Maqedonisë së Veriut me OSBE-në, përparimin lidhur me anëtarësimin në BE, marrjen e një qëndrimi të fortë kundër korrupsionit dhe bashkëpunimi për të sjellë më shumë stabilitet dhe mundësi për Ballkanin Perëndimor”, shkruan Chollet në Twitter pas bisedës telefonike me presidentin Pendarovski.
Me kryeministrin Kovaçevski nga ana tjetër është folur për energjetikën, luftën kundër korrupsionit dhe çështje të tjera të rëndësishme.
“E falënderova për kontributin e rëndësishëm të Maqedonisë së Veriut në NATO dhe për zgjedhjet e rënda që ka bërë për të mbetur në rrugën e integrimit euroatlantik”, shkruan Chollet.
Chollet duhej të vizitonte Maqedoninë e Veriut dhe rajonin këtë javë, por për shkak se rezultoi pozitiv në një test për Covid, vizita është shtyrë për pas Vitit të Ri.