IRI: Qytetarët e Maqedonisë së Veriut e shohin Türkiyen si partner kryesor.     Foto: International Republican Institute

Shumica dërrmuese e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut e shohin Türkiyen si partner numër një të vendit dhe duan marrëdhënie të forta me shtetin turk. Kështu tregon hulumtimi i fundit i publikuar të hënën nga Instituti Republikan Amerikan (IRI).

Në pyetjen e IRI-t se sa pajtohen se duhen mbajtur marrëdhënie të forta me shtetet e përfshira në anketim, 87% e të anketuarve janë përgjigjur se pajtohen fuqishëm ose disi pajtohen se është interes i vendit që të mbahen raporte të forta me Türkiyen. Kjo është përqindja më e lartë e pëlqyeshmërisë krahasuar me të gjitha shtetet e tjera të përfshira në anketë, duke kaluar Gjermaninë, Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e tjera.

Pëlqyeshmëria për Türkiyen gjithashtu është në trend të rritjes së vazhdueshme, duke kaluar në 87% nga 82% në nëntor të vitit 2021 dhe 79% në mars të vitit 2021.

Gjithashtu, kur u pyetën që të zgjedhin një shtet që është partner më i mirë për vendin, numri më i madh i qytetarëve kanë zgjedhur Türkiyen. Gjithsej 22% e qytetarëve kanë zgjedhur Türkiyen si partnerin më të rëndësishëm, kur janë pyetur të zgjedhin vetëm një shtet. I dyti vjen Bashkimi Evropian me 21% dhe në vendin e tretë është Gjermania me 15%.

Anketa e IRI-t është realizuar nga partneri lokal Brima, në periudhën prej 23 shtatorit deri më 13 tetor të vitit 2022. Janë anketuar 1.207 shtetas të moshës madhore në mënyrë të drejtpërdrejtë në shtëpitë e tyre.

TRT Balkan