Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, sot në Shkup ka takuar Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken.
Sipas një njoftimi të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Kovaçevski dhe Blinken edhe një herë kanë theksuar marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe kanë diskutuar për mbështetjen e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara i japin Maqedonisë së Veriut në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe zbatimin e reformave të nevojshme.
Në takim, Kovaçevski ka vlerësuar se të dy vendet në vazhdimësi kultivojnë një dialog politik produktiv, i cili është thelluar dukshëm nëpërmjet partneritetit strategjik të Maqedonisë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara.
Kovaçevski dhe Blinken kanë shprehur kënaqësinë e ndërsjellë për fillimin e Dialogut Strategjik ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe ShBA-së, i cili pritet të thellojë marrëdhëniet miqësore, të përmirësojë format e dialogut politik, ekonomik dhe të tjera, si dhe marrëdhëniet në fushën e arsimit dhe kulturës.
Siç thuhet në njoftim, ShBA-ja vlerëson lart kontributin e Maqedonisë së Veriut si aleate e NATO-s, por edhe në kontekstin rajonal si faktor stabiliteti në Ballkanin Perëndimor.
Sekretari amerikan i Shtetit ka thënë se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin Maqedoninë e Veriut në hapat e saj të ardhshëm, të cilët duhet të sigurojnë anëtarësimin në BE, si dhe ka shprehur respekt të madh për vendimet e guximshme dhe shtetërore që qeveria po i merr për të përmbushur këtë qëllim.
Blinken ka përshëndetur kryesimin e suksesshëm të OSBE-së nga Maqedonia e Veriut dhe qasjen e saj konstruktive në realizimin e agjendës dhe adresimin e sfidave me të cilat përballet organizata.
Ndryshe, Blinken gjendet në Maqedoninë e Veriut për të marrë pjesë në Këshillin Ministerial të 30-të të OSBE-së që do të mbahet nën presidencën e vendit më 30 nëntor-1 dhjetor në kryeqytetin Shkup.