Delegacion i Armatës së Shqipërisë në krye me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, gjeneralmajor Arben Kingji, ndodhet për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut.
Pas pritjes me nderime ushtarake, gjenerali Kingji ka zhvilluar takime me homolgun e tij të Maqedonisë së Veriut, shefin e Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral – nënkolonel Vasko Gjurçinovski, dhe me zëvendësministrin e Mbrojtjes Tiron Jajaga.
“Gjeneralët Gjurçinovski dhe Kingji biseduan për bashkëpunimin ndërmjet dy ushtrive të vendeve fqinje dhe aleate në NATO. U konstatua se bashkëpunimi dypalësh ndërushtarak, i cili është vazhdimisht në nivel të lartë, i kontribuon sigurisë dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë”, njoftoi Ministria e Mbrojtjes.
Gjenerali Gjurçinovski e informoi homolgun e tij për procesin aktual të transformimit në Armatë, si dhe për aktivitetet e ardhshme të planifikuara lidhur me përmbushjen e qëllimeve të kapaciteteve të NATO-s. Në të njëjtën kohë, bashkëbiseduesit diskutuan për aktivitetet dhe operacionet e NATO-s në të cilat marrin pjesë dy vendet, mundësitë e bashkëpunimit të mëtutjeshëm duke shfrytëzuar objektet stërvitore, edukimin ushtarak, si dhe bashkëpunimin në nivel operacional duke kryer aktivitete të përbashkëta stërvitore.
Zëvendësministri i Mbrojtjes i Maqedonisë së Veriut, Tiron Jajaga, në takimin me gjeneralin Kingji, tha se takimet në nivelin më të lartë janë një mundësi e shkëlqyer për të forcuar bashkëpunimin dhe për të konfirmuar miqësinë dhe aleancën e fortë ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
Kingji është pritur në takim edhe nga Presidenti i vendit, Stevo Pendarovski.