Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë së Maqedonisë së Veriut ndanë informacione për stërvitjen ushtarake shumëkombëshe "Reagimi i menjëhershëm 23" (Immediate Response 23), që fillon më 22 maj në qendrën stërvitore ushtarake "Krivollak".
Në takimin me gazetarët të organizuar në kazermën "Ilinden" në Shkup morën pjesë ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska, zv.shefi i Shtabit të Përgjithshëm gjeneralmajor Azim Nuredin, zv.sambasadori i ShBA-së në Maqedoninë e Veriut Eric Meyer dhe komandanti i Komandës së Operacioneve Gjeneral Brigade Besnik Emini.
Në takim u ndanë informata më të detajuara për llojin, objektivat, aktivitetet dhe pjesëmarrësit në stërvitje.
Gjatë stërvitjes do të përdoren municione standarde të manovrimit dhe municion luftarak të këmbësorisë dhe artilerisë, ndërsa për herë të parë do të bëhet përdorimi testues i mjetit të robotizuar të ashtuquajtur "Project Origin", i cili është ende në zhvillim.
Në takim u tha gjithashtu se në stërvitjen e cila do të zhvillohet nga 22 maji deri më 2 qershor në qendrën stërvitore ushtarake "Krivollak" do të marrin pjesë mbi 1.850 pjesëmarrës nga 5 shtete.
Ndër to, 4 vende janë anëtarë të NATO-s: Maqedonia e Veriut që do të marrë pjesë me 500 pjesëmarrës, ShBA-ja me 1.000 pjesëmarrës, Shqipëria me 130 pjesëmarrës dhe Mali i Zi me 40 pjesëmarrës. Gjithashtu, në stërvitje merr pjesë edhe një shtet partner, Kosova, me 160 pjesëmarrës.
Ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska, dhe zv.ambasadori i ShBA-së, Eric Meyer, pas takimit me gazetarët, dhanë deklarata për media.
"Qëllimi kryesor i kësaj stërvitjeje është zhvillimi i aftësive të veprimit të përbashkët."
Në deklaratën e saj ministrja Petrovska theksoi se Maqedonia e Veriut dëshmon se është anëtare aktive dhe e besueshme e aleancës së NATO-s. Ajo tha se për këtë vit kjo do të jetë stërvitja më e madhe që do të ndodhë në territorin e Maqedonisë së Veriut.
"Qëllimi kryesor i kësaj stërvitjeje është zhvillimi i aftësive të veprimit të përbashkët i cili është dhe do të vazhdojnë të jenë garantues për sigurinë e rajonit dhe të aleancës. Është jashtëzakonisht e rëndësishme për ne si vend që ne do të dëshmojmë edhe një herë se kapaciteti ynë më i madh ushtarak, gjegjësisht terreni stërvitor 'Krivollak' do të vazhdojë të përdoret për stërvitje të mëdha dhe komplekse në territorin tonë", tha Petrovska.
Ministrja shtoi se kjo stërvitje është një tjetër tregues i aleancës strategjike që Maqedonia e Veriut ka me ShBA-në.
Ajo theksoi edhe përkushtimin për mbrojtjen e mjedisit, duke shtuar se gjatë stërvitjes është organizuar monitorimi i ndikimit të aktiviteteve stërvitore mbi mjedisin jetësor.
Zv.ambasadori i ShBA-së, Eric Meyer, tha se kjo stërvitje është një aktivitet i madh dhe dëshmon përkushtimin e Maqedonisë së Veriut. Ai informoi se në stërvitje do të marrin pjesë pjesëtarë të Forcave Tokësore të ShBA-së për Evropën dhe Afrikën, si dhe pjesëtarë të Gardës Kombëtare të Minesotës.
"Stërvitjet e këtilla ndihmojnë në ndërtimin e gatishmërisë dhe avancimin e aftësive operacionale të aleatëve të NATO-s. Forcat e Maqedonisë së Veriut janë pjesë integrale e demonstrimit të gatishmërisë dhe ndërveprueshmërisë së bashku me partnerët dhe aleatët e tjerë", tha Meyer.
Ai theksoi se vendosja e forcave amerikane në Evropë është dëshmi e përkushtimit të vazhdueshëm të forcave të NATO-s për një Evropë të lirë, të bashkuar dhe në paqe.
Stërvitja "Immediate Response 23" është pjesë e serisë së stërvitjeve "DEFENDER EUROPE 23" të organizuar nga Komanda e Ushtrisë Amerikane për Evropë dhe Afrikë. "Immediate Response 23" do të realizohet gjithsej në 8 shtete të rajonit: në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri, Bullgari, Bosnjë e Hercegovinë, Mal të Zi, Kroaci, Slloveni dhe Kosovë.