Kryeministri i Maqedonisë së Veriut: Marrëveshja e Ohrit e solli paqen / Photo: AA

Qeveria e Maqedonisë së Veriut zhvilloi seancë ministrash me rastin e 23-vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. Në fjalimin e mbajtur në seancë, kryeministri Hristijan Mickoski, tha se miratimi i marrëveshjes kornizë në atë kohë nuk e ka gëzuar dhe kënaqur plotësisht asnjërën nga palët nënshkruese, por se, siç tha ai, "marrëveshja kornizë solli atë që ishte më së shumti e nevojshme dhe e kërkuar në atë moment, e ajo është paqja".

Duke theksuar se janë të ndryshëm për nga përkatësia etnike dhe fetë nuk i bën ato të ndryshëm për sa u përket nevojave dhe prioriteteve, Mickoski tha: "Nevoja dhe prioriteti kryesor i të gjithëve është një jetë më e mirë. Kemi probleme të njëjta, të përbashkëta, prandaj bashkërisht duhet të ofrojmë zgjidhje dhe t'i zgjidhim ato probleme".

Ai tha se Maqedonia e Veriut është atdheu i tyre i përbashkët të cilin duhet ta ndërtojnë së bashku. "Të punojmë për t'i besuar njëri-tjetrit. Jam i sigurt se do të arrijmë të bëjmë më shumë për çdo person. Marrëdhëniet ndëretnike janë shtylla kurrizore e shoqërisë sonë të përbashkët. Nuk janë vetëm detyrime ligjore apo marrëveshje politike. Ato janë një proces i gjallë që kërkon vazhdimisht përkushtimin dhe angazhimin tone", u shpreh Mickoski.

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit dhe i Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, nga ana e tij, duke theksuar se qeveria e re "nuk është vetëm në fjalë, por edhe në veprim", tha se "Kjo qeveri dëshmon kapacitet për vlerat dhe frymën e Marrëveshjes së Ohrit".

Pas fjalimeve anëtarët e kabinetit kaluan në një fotografim të përbashkët në kuadër të shënimit të kësaj dite, ndërsa më pas u mbajt seanca e rregullt e qeverisë ku u diskutuan disa çështje.

TRT Balkan / agjencitë