KShZ-ja: Votimi në Maqedoninë e Veriut po zhvillohet në mënyrë të qetë / Photo: AA

Kryetari i Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KShZ) të Maqedonisë së Veriut, Aleksandar Dashtevski, deklaroi se votimi po zhvillohet në mënyrë të qetë në të gjitha vendvotimet.

Në Maqedoninë e Veriut po zhvillohet raundi i parë i votimit për zgjedhjet presidenciale.

Kutitë e votimit në të gjithë vendin u hapën në orën 07:00 në 3.480 qendra votimi dhe votimi do të vazhdojë deri në orën 19:00.

Në zgjedhjet e shtata presidenciale, të drejtë vote kanë 1.814.317 votues që mund të zgjedhin një nga shtatë kandidatët për president.

Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Aleksandar Dashtevski, në një konferencë të përbashkët për media me nënkryetaren Ditmire Shehu, prezantoi informacione për daljen dhe procesin e votimit.

"Votimi deri më tani po zhvillohet në mënyrë të qetë në të gjitha qendrat e votimit. Pra, tani krahasimi me vitin 2019 është saktësisht 6 për qind, më i lartë se në vitin 2019. Deri në këtë moment në KShZ janë dorëzuar 140 ankesa për mbrojtjen e të drejtës së votës", tha Dashtevski.

Sipas të dhënave nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, nga mbi 97 për qind e vendvotimeve të përpunuara, deri në orën 13:00 pjesëmarrja është pothuajse 25 për qind. Pra, deri në orën 13:00 kanë ushtruar të drejtën e votës mbi 438 mijë qytetarë, nga gjithsej 1.814.317 votues.

Sipas të dhënave, dalja më e lartë është në komunën e Novacit, 42,87 për qind, ndërsa më e ulëta në Qendër Zhupa, 9,12 për qind.

Sipas ligjeve, fituesi shpallet në raundin e parë të votimit vetëm nëse njëri prej kandidatëve ka fituar më shumë se 50 për qind të votave nga të gjithë votuesit e regjistruar.

Nëse në raundin e parë të votimit nuk shpallet fitues, raundi i dytë është planifikuar të mbahet më 8 maj, ditën kur janë shpallur edhe zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut.

TRT Balkan / agjencitë