Kreu i shteti shqiptar bëri thirrje për ruajtjen dhe pasurimin e gjuhës amtare, për unitet dhe gjithëpërfshirje në nismën kombëtare të identitetit shqiptar, ndërsa rëndësinë e Kongresit të Manastirit e vlerësoi jo vetëm jo vetëm si një lëvizje gjuhësore, por edhe politike, për ekzistencën e shqiptarisë.
“Në 115-vjetorin e alfabetit shqip, në Manastirin e shenjtë të shqipes që bëri bashkë gegë e toskë, myslimanë dhe të krishterë, për abecene që kemi sot. Ta ruash dhe të lëvrosh gjuhën amtare nuk është thjesht një thirrje për ruajtjen e një trashëgimie kulturore. Ajo është thirrje për të ruajtur identitetin kombëtar”, shkroi Begaj në rrjetin social Facebook.
Kryeparlamentari i Maqedonisë së Veriut, i cili po ashtu ishte i pranishëm në ceremoninë e shënimit të 115-vjetorit të Alfabetit shqip, porositi se nuk duhet harruar vlera dhe sakrifica e atyre që mundësuan etablimin e gjuhës shqipe në rrafshin botëror.
“Si përfaqësues institucional dhe politikanë përgjegjës, kemi obligim të kujdesemi për trashëgiminë kulturore, intelektuale dhe shpirtërore të popullit në çdo hap, me çdo vepër dhe me çdo nismë që e ndërmarrim. Gjeneratat e ardhshme duhet ta dinë vlerën dhe sakrificën që është bërë për të arritur për të qenë në rrafshin e popujve të etabluar botërorë”, thekson kryeparlamentari i RMV-së, Talat Xhaferi, në një postim të shpërndarë në Facebook.
Në ceremoninë e shënimit të 115-vjetorit të Kongresit të Manastirit në muzeun e Alfabetit morën pjesë edhe krerë të tjerë politikë të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.