Pas inaugurimit të djeshëm të Xhamisë Jeni (Xhamia e Re) në qytetin Manastir të Maqedonisë së Veriut si një muze i trashëgimisë kulturore të krishterimit dhe islamit, komuniteti mysliman në vend ka shprehur reagimet e tyre.
Në një "letër me qëllim të mirë" drejtuar kryeministrit Hristijan Mickoski, zv/kryeministrit të parë Izet Mexhiti, zyrtarëve dhe institucioneve të tjera, Bashkësisë Fetare Islame (BFI) e Maqedonisë së Veriut ka shprehur shqetësimin e tyre të thellë për shndërrimin e xhamisë në Manastir në muze të trashëgimisë kulturore të krishterimit dhe islamit.
BFI-ja ka theksuar se e konsideron të papranueshme që të mos konsultohen për një projekt të tillë dhe "as të kërkohet pëlqimi ynë për realizimin e tij".
"Në interes të të gjitha palëve të përfshira, dëshirojmë të shprehim mospajtimin tonë të thellë me këtë ide, duke pasur parasysh edhe Ligjin për Dekomunizimin e vitit 1990, i miratuar nga Kuvendi i Maqedonisë së Veriut. BFI-ja ka kërkuar vazhdimisht dhe në mënyrë të pandërprerë rikthimin e Xhamisë Jeni dhe përdorimin e saj nga besimtarët myslimanë të Manastirit si një vend adhurimi", theksohet në letrën e BFI-së.
Më tej, ata thonë se shteti së bashku me institucionet e tij nuk i ka përmbushur këto kërkesa, për më tepër, për shumë vite e kanë mbajtur këtë xhami të mbyllur, duke e përdorur si "Galeri të Arteve".
"BFI-ja e konsideron të domosdoshme ruajtjen dhe promovimin e frymës së tolerancës dhe respektit ndaj diversitetit fetar dhe kulturor. Ne, si përfaqësues të myslimanëve, kundërshtojmë fuqishëm këtë iniciativë për shndërrimin e Xhamisë Jeni në ‘muze’ dhe bëjmë thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të të gjitha aktiviteteve që lidhen me këtë proces", thuhet në letër.
BFI-ja gjithashtu fton institucionet shtetërore që të ndalojnë çdo autorizim ligjor që çon në ndryshimin e karakterit të këtij objekti kulturor dhe fetar, duke theksuar se historia 7-shekullore e kësaj xhamie është pjesë e trashëgimisë islame të Maqedonisë së Veriut dhe një vendim i tillë përbën fyerje për të gjithë besimtarët myslimanë të vendit.