Maqedonia e Veriut shënoi trevjetorin e anëtarësimit në NATO / Photo: AA

Në kazermën "Ilinden" në Shkup u mbajt ceremonia qendrore për shënimin e trevjetorit të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Aleancën e NATO-s.

Në ceremoni morën pjesë kreu shtetëror i Maqedonisë së Veriut, përfaqësuesit më të lartë të Ushtrisë, si dhe përfaqësues të trupit diplomatik.

Në ceremoni folën kryeministri i Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski, ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska, si dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut Vasko Gjurçinovski.

Në fjalën e tij, kryeministri Kovaçevski theksoi se është krenar që një nga qëllimet strategjike të vendit është arritur, duke theksuar rëndësinë e NATO-s për Maqedoninë e Veriut, për rajonin dhe botën.

"Të jesh NATO do të thotë të vendosësh së bashku me vendet më të zhvilluara në botë të marrësh vendime për sigurinë botërore së bashku me më të fuqishmit. Të ruash paqen tonë dhe të botës si pjesë e një organizate ushtarakisht superiore, politikisht të fortë, relevante dhe ekonomikisht dominuese. Paqe dhe zhvillim për gati një miliard njerëz, të cilët jetojnë në vlera të përbashkëta demokratike", tha Kovaçevski.

Ministrja Petrovska në fjalën e saj theksoi se anëtarësimi në NATO ka qenë qëllim strategjik i vendit që nga shpallja e pavarësisë.

"Sot me krenari themi se 'Ne jemi NATO', sepse kemi ditur të jemi të guximshëm, kemi ditur të marrim vendimet e duhura, të cilat me të vërtetë janë marrë në kohën e duhur", tha Petrovska.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Vasko Gjurçinovski, në fjalimin e tij tha se Ushtria me përmbushjen e të gjitha detyrave në ushtri tregoi se është një partner i besueshëm dhe i përgjegjshëm, i cili i ka arritur standardet shumë më herët para anëtarësimit të plotë në NATO.

"Me vendosmëri të vazhdueshme, 3 dekada punë të palodhur dhe përkushtim, arritëm ta realizojmë integrimin më të shpejtë ushtarak në NATO, qëllim që e arritëm për 19 muaj nga anëtarësimi ynë i plotë", tha Gjurçinovski.

Pas mbarimit të fjalimeve, vijuan ushtrimet demonstruese të pjesëtarëve të ushtrisë, duke përfshirë një mbikalim të avionëve aleatë në kuadër të misionit "Air Policing".

TRT Balkan / agjencitë