Më 13 gusht të vitit 2001 u nënshkrua Marrëveshja Kornizë e Ohrit.     Foto: AA Arkivi 

Si sot, 21 vjet më parë u nënshkrua Marrëveshja Kornizë e Ohrit në Republikën e Maqedonisë së Veriut, e cila i dha fund konfliktit të armatosur në vend dhe vendosi kornizën për bashkëjetesë ndëretnike.

Marrëveshja Kornizë e Ohrit është nënshkruar më 13 gusht të viti 2001 mes partive më të mëdha politike në vend dhe përfaqësuesve special të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Marrëveshjes së Ohrit i ka paraprirë konflikti ndëretnik në vitin 2001 ndërmjet maqedonasve dhe shqiptarëve, dy komunitetet më të mëdha në vend, sipas përkatësisë etnike.

Mbi 100 njerëz nga të dyja anët humbën jetën dhe qindra të tjerë u zhvendosën. Përveç pjesëve veriore dhe veriperëndimore të vendit, përleshje mes forcave të armatosura maqedonase dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK), ka pasur edhe në afërsi të Shkupit.

Me arritjen e marrëveshjes konflikti mori fund dhe u hodhën themelet për forcimin e të drejtave të shqiptarëve etnikë në vend.

“Shpresojmë se nënshkrimi i marrëveshjes do të mirëpritet si zgjidhje e përhershme, jo vetëm për dalje nga kriza, por për ndërtimin dhe prosperitetin e vendit tonë”, tha presidenti i atëhershëm i Maqedonisë së Veriut, Boris Trajkovski pas nënshkrimit Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.

Çfarë u arrit me marrëveshjen?

Marrëveshja garantonte karakterin unitar të shtetit, por gjithashtu promovonte të drejtat e shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera më të vogla etnike në vend, duke përfshirë turqit, boshnjakët, romët, serbët, vllehët e të tjerë.
Gjatë viteve të kaluara, prej kur është nënshkruar Marrëvesha Ohrit, janë miratuar ndryshime dhe plotësime ligjore, shumica e të cilave janë ligje për mosdiskriminim dhe përfaqësim të drejtë në institucionet shtetërore, dhe një pjesë e tyre janë në sferën e identitetit, kulturës, arsimit dhe decentralizimit të pushtetit.
Marrëveshja, përveç zyrtarizimit të gjuhës shqipe, përfshinte edhe zhvillimin e vetëqeverisjeve lokale, mosdiskriminimin, përfaqësimin e drejtë, zbatimin e procedurave të veçanta parlamentare për çështje si gjuha, kultura, arsimi, simbolet dhe identiteti.

Gjithashtu, u vendos që gjuha të cilën e flasin më shumë se 20 për qind e bashkësive etnike të jetë gjuhë zyrtare në çdo qytet të vendit, përveç gjuhës maqedonase.

Me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, të miratuar në Kuvend më 11 janar 2018, përdorimi i gjuhës shqipe u avancua. Dispozitat e këtij ligji hynë në fuqi një vitë më pas, gjegjësisht më 15 janar 2019.
Si pjesë e zbatimit të marrëveshjes, u krijua Sekretariati përgjegjës për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, i cili ishte pjesë e Qeverisë në vitin 2004.

Sekretariati më vonë u shndërrua në Ministrinë e Sistemit Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive.

Procesi i demokracisë multietnike
Njëzet e një vjet më vonë, shumica e pikave nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit janë zbatuar. Marrëveshja u shndërrua në një proces të demokracisë multietnike.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit politikë të komuniteteve pakicë ndër vite theksojnë se ekziston nevoja e dukshme për përfshirje shtesë të shtetit në realizimin, promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve pakicë etnike në vend. Posaçërisht theksohet zbatimi jo i plotë i përfaqësimit të drejtë të bashkësive etnike më të vogla në institucionet e shtetit.

Disa nga partitë politike të komuniteteve pakicë etnike në Maqedoninë e Veriut besojnë se, ndër të tjera, Marrëveshja e Ohrit duhet të kompletojë ndryshimin e modelit zgjedhor. Sipas tyre, kjo do të bëhej në atë mënyrë që komunitetet në vend të përfaqësohen më mirë dhe më efektivisht në jetën politike, veçanërisht në Kuvend.

Në ndërkohë, Maqedonia e Veriut përmbushi një nga dy qëllimet e saj strategjike, u bë anëtare e aleancës së NATO-s dhe pas bllokadës dyvjeçare nga Bullgaria, u zhbllokua rruga drejt anëtarësimit në BE.

TRT Balkan