Osmani: Kosova të bashkëpunojë me komunitetin euroatlantik / Foto: AA

Kryediplomati i Maqedonisë së Veriut, njëherësh kryesues i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Bujar Osmani, u ka bërë thirrje autoriteteve të Kosovës të jenë në bashkëpunim të ngushtë me komunitetin euroatlantik.

Duke folur në një konferencë për media në Strugë, ku po mbahet Forumi i Prespës për Dialog (FPD), Osmani tha se Maqedonia e Veriut ndjek me vëmendje ndodhitë në veri të Kosovës.

Ai theksoi se Maqedonia e Veriut ka një detyrim shtesë për të kontribuuar në paqen dhe stabilitetin në rajon, si anëtar i NATO-s dhe si vend kryesues me OSBE-në.

"Unë mund nga kjo pozitë vetëm të ftoj autoritetet e Kosovës që të jenë në bashkëpunim të ngushtë me komunitetin euroatlantik, për shkak se eksperienca jonë na tregon se bashkëpunimi me ta, koordinimi me ta, besimi në ta, asnjëherë nuk na ka dështuar dhe asnjëherë nuk na ka tradhtuar. Këshilla më e mirë që mund t'ua japim jo vetëm Kosovës, por të gjithëve në rajon, është... 'mbani ngushtë raportet me komunitetin euroatlantik për shkak se kjo është e ardhmja e vetme e rajonit' ", tha Osmani.

Ai gjithashtu përshëndeti iniciativën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për të "krijuar situatë të re, për të lëvizur nga ky ngujim në të cilin janë futur palët".

Kryeministri i Shqipërisë u dorëzoi liderëve të Gjermanisë dhe Francës një draft-statut për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

TRT Balkan / agjencitë