Shtetet e Bashkuara të Amerikës po intensifikojnë përpjekjet për luftimin e korrupsionit në Maqedoninë e Veriut. Ambasadorja e re e ShBA-së në Shkup, Angela Aggeler, njoftoi sot se ekipi i sanksioneve nga Washingtoni po qëndron në Shkup për të rreptësuar qasjen ndaj “aktorëve të korruptuar të së kaluarës dhe të tashmes”. Nëpërmjet një publikimi në Twitter, Aggeler potencoi gjithashtu se drejtësia në Maqedoninë e Veriut duhet të përpiqet më shumë për të dëshmuar se asnjë nuk është mbi ligjin.
“Ekipi i sanksioneve nga Washingtoni është këtu për të shqyrtuar në mënyrë më agresive aktorët e korruptuar të së kaluarës dhe të tashmes, dhe për të konsideruar të gjitha përgjigjet e mundshme. Sektori i drejtësisë në Maqedoninë e Veriut duhet të ketë më shumë hetime dhe përndjekje, për të treguar se askush nuk është mbi ligjin”, shkruan ambasadorja Angela Aggeler.
Aggeler edhe më herët e ka potencuar korrupsionin si problem serioz në Maqedoninë e Veriut, që po e mban peng përparimin e vendit sipas saj.
ShBA-ja ka vendosur në listën e sanksioneve disa politikanë nga Ballkani, ndërsa zv/ndihmës sekretari i shtetit për Ballkanin, Gabriel Escobar, paralajmëroi se politika e sanksioneve do të vazhdojë sepse ka treguar rezultate në rajon.
Në listën e sanksioneve të ShBA-së, mes të tjerëve, nga Maqedonia e Veriut janë edhe ish-kryeministri Nikolla Gruevski dhe ish-shefi i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim, Sasho Mijallkov.