“Lusail Stadium” në Katar do të jetë fusha ku do të zbresin futbollistët me vlerë prej 1 miliard eurosh.
Gjysmëfinalja e parë në kuadër të kompeticionit më të madh të futbollit, Kupës së Botës, do të zhvillohet ndërmjet dy kombëtareve nga kontinente të ndryshme, Argjentinës nga Amerika Latine dhe Kroacisë së Ballkanit.
Skuadra këto me plot yje, që në radhët e tyre kanë edhe dy futbollistët më të mirë të botës ndër vite, Lionel Messin dhe Luka Modriç.
Argjentina dyfish më e shtrenjtë se Kroacia
Në bazë të dhënave zyrtare të uebfaqes Transfermarket, skuadra e Argjentinës vlerësohet në 645 milionë euro, gati 300 milionë më shumë se skuadra kroate.
Ndonëse shtatë herë i përzgjedhur si futbollisti më i mirë në botë, dhe më së shumti në histori, Lionel Messi nuk është lojtari më i shtrenjtë në listën e transferëve. Kjo sigurisht për shkak të moshës i cili tani ka mbushur 35 vjeç, dhe ndikon dukshëm në impaktin e tij në lojë, prandaj vlera e tij llogaritet 50 milionë euro.
Lojtari më i shtrenjtë në dhomat e zhveshjes së gauçëve është sulmuesi i Interit, Lautaro Martez, i cili vlerësohet në 75 milionë euro. Mbrojtësi i Tottenhamit, Cristian Romero, vlen 55 milionë euro, ndërsa mbrojtësi i Manchester United, Lisandro Martinez, ka vlerën prej 50 milionë euro.
Anësori i Atletico Madrid, Angel Correa, vlen 40 milionë euro dhe mesfushori i Atletico Madridit, Rodrigo de Paul, 35 milionë euro.
Vetëm gjashtë futbollistët e lartpërmendur të Argjentinës kapin vlerën e thuajse tërë skuadrës së Kroacisë.
Futbollisti më i ri në moshë, më i shtrenjti i Kroacisë
Kombëtarja e Kroacisë në futboll kap vlerën e 377 milionë eurove.
Ndërkaq, lojtari më i shtrenjtë i saj u bë futbollisti më i ri në moshë, Joshko Guardiol, i cili tani vlen 60 milionë euro.
Mbrojtësi me prejardhje nga Zagrebi i cili për momentin është pjesë e klubit gjerman Lajpzig në këmbët e tij ka vetëm 55 ndeshje zyrtare, por që talenti i tij është vënë re nga klube të ndryshme botërore.
Pas Joshko Guardiol futbollistë të tjerë më të shtrenjtë në skuadrën e Kroacisë janë: Mateo Kovaçiq - 40 milionë euro, Marcelo Brozoviq - 35 milionë euro, Mario Pasalić - 25 milionë euro, Lovro Majer - 22 milionë euro, Nikola Vlashić, Borna Sosa dhe Luka Suçiç me nga 20 milionë euro.
Futbollisti më i mirë i vitit në botë për vitin 2018, Luka Modriç, sipas tranfermarket e kap vlerën prej 10 milionë eurove.
Argjentinë-Kroaci, historia nuk njeh favorit në letër
Kjo është ndeshja e pestë që këto dy ekipe do të luajnë kundër njëra-tjetrës, pasi në të kaluarën Argjentina ka fituar 2 herë, në vitet 1998 dhe 2014 (1-0, 2-1), njëjtë si Kroacia e cila nuk ndihet aspak inferiore ndaj Argjentinës me dy fitore, në vitin 2006 (3-2) dhe në vitin 2018 (3-0).