Përfaqësuesja e Kosovës në futboll e ka mposhtur kombëtaren e Izraelit me rezultat 1-0 në ndeshjen e vlefshme për kualifikimet e "Euro 2024", në stadiumin "Fadil Vokrri" në Prishtinë.
Ndeshja e Grupit I u zhvillua në një terren të vështirë për lojtarët për shkak të reshjeve të shiut, në prani të rreth 3 mijë shikuesve.
Kosova kaloi në epërsi në minutën e 41-të nëpërmjet sulmuesit Milot Rashica pas një asistimi nga Vedat Muriqi, për 1 me 0, rezultat me të cilin u mbyll ndeshja.
Edhe Muriqi i cili u zëvendësua në pjesën e dytë për shkak të një lëndimi, pati disa raste për gol.
Kjo fitore për Kosovën është fitorja e dytë rresht pas asaj të arritur më 12 tetor në Andorrë, me rezultatin 3-0.
Kosova tani ka dhjetë pikë nga tetë ndeshje dhe mbetet në pozitën e katërt, ndërsa Izraeli i ka 11 pikë nga shtatë ndeshje.
Grupin I e udhëheq Rumania me 16 pikë nga tetë ndeshje, Zvicra ka 15 pikë nga shtatë ndeshje.
Më 18 nëntor Kosova luan si mysafire ndaj Zvicrës, ndërsa më 21 nëntor Kosova e pret Bjellorusinë në mbyllje të kualifikimeve.
Ndeshja e cila u shoqërua nën masa të larta të sigurisë kaloi pa ndonjë incident. Në fillim të intonimit të himnit kombëtar të Izraelit, lojtarët izraelitë të cilët bënë edhe simbole izraelite gjatë himnit të tyre, u fishkëllyen nga ana e tifozerisë kosovare.