Denver Nuggets, i drejtuar nga Nikolla Jokiç, për herë të parë në histori u bë kampion në garën më të fortë të basketbollit në botë, ligën e NBA-së. Skuadra nga Kolorado mposhti Miamin 94-89 në ndeshjen e pestë të finales së madhe dhe me 4-1 në total në seri shënoi suksesin më të madh që nga themelimi i tyre si klub.
MVP i serisë finale ishte qendra serbe Nikolla Jokiç, i cili gjithashtu ishte edhe më efikasi në ndeshjen e pestë me 28 pikë, 16 kërcime dhe 4 asistime.
Në radhët e Nuggetsit, përveç Jokiçit, spikatën edhe Michael Porter i cili shënoi 16 pikë me 13 kërcime, dhe Jamal Murray, i cili shënoi 14 pikë dhe tetë asistime.
Jimmy Butler i Miamit u dallua në skuadrën e tij me 21 pikë. Shoku i tij i skuadrës Bam Adebayo shënoi 20 pikë dhe 12 kërcime. Max Strus dhe Kyle Lowry shënuan nga 12 pikë.
Miami ishte në epërsi 71:70 deri në fund të çerekut të tretë. Loja ishte dramatike në çerekun e fundit, por pasi arriti të vjedhë një top, Kentavious Caldwell-Pope, ndaj të cilit pati ndërhyrje të palejuar dhe ishte i saktë në të dyja gjuajtjet e lira, e çoi Nuggetsin në epërsi 92:89 në vetëm 24,7 sekonda të mbetura. Më pas, lojtari kundërshtar Butler u detyrua të gjuante një trepikësh, të cilin e humbi.
Rezultatin përfundimtar e vendosi Bruce Brown, i cili po ashtu ishte i saktë nga gjuajtjet e lira, duke rritur epërsinë 94:89 dhe duke sjellë një fitore të madhe për Denverin.