Kombëtarja e futbollit të Anglisë u kualifikua në finalen e Kampionatit Evropian që po luhet në Gjermani, pasi mposhti Holandën me rezultat 2:1.
Holandezët e nisën më mirë ndeshjen dhe kaluan në avantazh në minutën e tetë. Xavi Simons depërtoi shkëlqyeshëm nga mesi dhe dërgoi një goditje fenomenale nga rreth njëzet metra, e topi kaloi pas Jordan Pickford dhe përfundoi në rrjetë.
Anglezët u kundërpërgjigjën shpejt. Pas një faulli ndaj Harry Kane, arbitri akordoi penalltinë dhe sulmuesi i Bayern Munichut shënoi nga pika e bardhë për 1:1 në minutën e 18-të.
Angelzët treguan lojë të mirë me fillimin e pjesë së dytë dhe në minutën e 79-të shënuan gol me Bukaya Saka, por ai u anulua për pozicion jashtë loje.
Çështja e finalistit të sontëm u zgjidh në minutën e 90-të nga Ollie Watkins me një gol të bukur pas një pasimi të Cole Palmer.
Finalja e EURO 2024, në të cilën do të takohen Spanja dhe Anglia, do të luhet më 14 korrik në stadiumin Olimpik të Berlinit, me fillim nga ora 21:00.