Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka nisur fushatën “Europianët e Artë” pesëdhjetë ditë para fillimit të Lojërave Olimpike Verore në Paris.
Kushtrim Krasniqi, shef i departamentit të mediave në Komitetin Olimpik të Kosovës, ka paralajmëruar një sërë aktivitetesh që do të organizohen me rastin e Lojërave Olimpike të ardhshme. Në konferencën për media, ai përkujtoi se Kosova, edhe pse një vend i vogël dhe i ri, fitoi tri medalje në dy Lojërat Olimpike Verore, të tria të arta në xhudo në konkurrencën e femrave.
Krasniqi tha se ekipi i Kosovës do të mbajë sloganin #Europianët e Artë rrugës për në Paris, që do të jetë një motivim shtesë për garuesit.
“Që nga Tokio 2020 kemi pasur sloganin “Kosova e Artë” dhe kësaj radhe vendosëm të jemi “Europianët e Artë” dhe t’i tregojmë botës se kjo Kosovë di të fitojë, të arrijë suksese në arenën ndërkombëtare dhe në botën më të madhe në gara siç janë Lojërat Olimpike”, tha Krasniqi.
Krasniqi theksoi se sportistët e Kosovës deri më tani kanë siguruar gjashtë standarde olimpike në sportin e xhudos dhe boksit dhe se në javët në vijim priten më shumë standarde në atletikë dhe not.
Ndër aktivitetet e planifikuara nga KOK janë një kuiz olimpik në shërbimin publik të Radio Televizionit të Kosovës, lansimi i një videoje promovuese, prezantimi i uniformave dhe olimpistëve kosovarë dhe një festival olimpik në qendër të Prishtinës.
Medaljen e parë olimpike historike për Kosovën e fitoi xhudistja Majlinda Kelmendi në Lojërat Olimpike në Rio de Zhaneiro në vitin 2016, ndërsa xhudistet Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova fituan medaljen e artë në Lojërat Olimpike 2020 në Tokio.