Dardanët janë kthyer nga Qiproja me fitore bindëse në Ligën e Kombeve.
Ndeshja në Larnaka në kuadër të Ligës C, grupi 2, ka përfunduar me rezultatin 4:0.
Në këtë mënyrë Kosova vazhdon fitoret në përballjet e deritanishme ndaj Qipros, pas atyre në vitin 2022 – 5:1 dhe 2:0.
Serinë e golave në stadiumin “AEK Arena” e nisi Vedat Muriqi në minutën e 8-të nga penalltia dhe atë të 21-të, pas asistimit të Donat Rrudhanit.
Edhe pjesa e dytë nisi me dominimin e futbollistëve të Franco Foda, me dy gola të shpejtë nga Albion Rrahmani në minutën e 48-të pas asistimit të Milot Rashicës dhe Lumbardh Dellova gjashtë minuta më vonë, pas asistimit tjetër të Rrudhanit.
Emir Sahiti pati rast të mirë për 5:0 në minutën e 79-të, por goditja e tij u ndal nga shtylla.
Fitorja e sotme është e rëndësishme për Kombëtaren e Kosovës në futboll, në kohën kur ajo ndodhet në krizë pas përjashtimit të tre lojtarëve nga grumbullimi për shkak të shkeljes së rregullave.
Kosova renditet e dyta në tabelë me tri pikë nga dy ndeshje të zhvilluara në grup, ndërsa prin Rumania me tri pikë, por me gol-diferencë më të mirë dhe një ndeshje më pak të zhvilluar.
Qiproja renditet e treta me tri pikë nga dy ndeshje të zhvilluara. Lituania, e cila sonte luan si mysafire ndaj Rumanisë në “Steaua” të Bukureshtit, renditet e fundit në grup pa asnjë pikë.