Kombëtarja e Kosovës në futboll ka mposhtur me rezultat 3 me 0 ekipin e Administratës Greke të Qipros Jugore, në ndeshjen e zhvilluar në kuadër të kompeticionit të UEFA Ligës së Kombeve midis kombëtareve evropiane të organizuar nga organi drejtues i futbollit evropian.
Ndeshja e vlefshme, e zhvilluar në stadiumin "Fadil Vokrri" në Prishtinë në kuadër të kualifikimeve të UEFA Ligës së Kombeve, u përcoll nga mijëra shikues.
Kosova ishte këmbëngulëse në kërkim të golave gjatë gjithë ndeshjes, megjithëse pjesa e parë e ndeshjes u mbyll me epërsi minimale prej 1 me 0, nëpërmjet golit të shënuar nga kapiteni i ekipit kosovar Amir Rrahmani në minutën e 30-të.
Vetëm pak pas fillimit të pjesës së dytë të ndeshjes, “Dardanët” thelluan epërsinë me golin e dytë të shënuar nga Ermal Krasniqi në minutën e 52-të.
Golin e fundit për Kosovën e shënoi Emir Sahiti, përkatësisht në minutën e 71-të, për të cilin ky ishte goli i parë me kombëtaren kosovare.
Kosova me 9 pikë, aktualisht është e dyta në Grupin 2, pas Rumanisë e cila është në vendin e parë me 12 pikë. Në vendin e tretë është Administrata Greke e Qipros Jugore me 3 pikë, derisa në vendin e katërt pa asnjë pikë të fituar është Lituania.