Trajneri i Beşiktaşit, Şenol Güneş, pas fitores ndaj ekipit të Tiranës deklaroi se kanë marrë një fitore të merituar.
Në konferencën për mediat pas ndeshjes me ekipin e Tiranës, të mbajtur në Stadiumin "Air Albania" në Tiranë, Güneş tha se skuadra reagoi mirë dhe sipas tij u përpoq të luante me potencialin fizik siç e kishte parashikuar.
"Mendoj që ne kemi marrë një kualifikim të merituar sepse kemi pasur një lojë më të mirë sesa Tirana. Kemi marrë një fitore të merituar", tha Güneş.
Për incidentet para fillimit të ndeshjes, trajneri turk tha se: "Ato pamje që ndodhën nuk ndikojnë në marrëdhënien shumë të mirë mes klubeve dhe midis vendeve. Janë gjeste antisportive që askush nuk ka dëshirojë t'i shikojë.
Shehi: Mendoj që kemi bërë një ndeshje të mirë
Trajneri i klubit të futbollit Tirana, Orges Shehi, në konferencën për media tha se mendon që kanë bërë një ndeshje të mirë dhe shtoi se janë munduar që të jenë dinjitozë.
"Të përballesh me Beşiktaşin në këtë mënyrë pa kurrfarë ndrojtje sigurisht që kjo do të na rrisë për të na dhënë vetëbesim. Këtë mobilizim, përqendrim duhet ta vazhdojmë sepse lojtarët nuk duhet të ndryshojnë mentalitet", tha Shehi.
Për incidentet para fillimit të ndeshjes, Shehi tha se “Ishte e papritur për ne. Nuk janë gjëra të mira që të ndodhin në futboll”.
Ndeshja Tirana - Beşiktaş e zhvilluar në Stadiumin "Air Albania" në kuadër të UEFA Ligës së Konferencës, përfundoi në favor të ekipit turk, me rezultatin 0 - 2.
Ndeshja filloi disa minuta me vonesë për shkak të incidenteve dhe përplasjeve midis tifozëve të dy skuadrave, ku u përdorën edhe tymuese.