Mbrëmje e rekordeve dhe “hatrick-ave” në kampionatin botëror të hendbollit.     / Foto: IHF

Një mbrëmje historike ishte ajo e fundjavës në aspektin sportiv.

Pas tri javësh emocion, përfundoi edicioni i turneut më të rëndësishëm kompetitiv të njërit nga sportet që shquhet për përgatitje fizike.

Danimarka bëri histori duke u bërë skuadra e parë e hendbollit që fitoi Kupën e Botës tri herë radhazi, pasi mposhti Francën 34-29 në finalen e luajtur mbrëmë në Stokholm.

Skuadra skandinave pati një epërsi gjatë gjithë ndeshjes që arriti në pesë gola 12-7 në pjesën e parë. Franca arriti të barazojë 17-17 në fillim të pjesës së dytë, por danezët shpejt rifituan avantazhin dhe arritën ta ruajnë deri në fund të ndeshjes.

Rasmus Lauge me 10 gola nga 11 goditje dhe Simon Pitlik me nëntë gola udhëhoqën danezët drejt triumfit.

Fitorja e tretë historike e Danimarkës bëri që operatorët e urës Oresund, e cila kalon midis Suedisë dhe Danimarkës, ta ndezin atë me ngjyrat e flamurit danez menjëherë pas ndeshjes.

Një rekord tjetër i gjyqtarëve maqedonas

Jo vetëm hendbollistët e Danimarkës shënuan “hat-trick” në fitoret e tyre të njëpasnjëshme në kampionatin botëror.

Protagonistë të ndeshjes ndërmjet Danimarkës dhe Francës ishin gjyqtarët maqedonas Gjorgi Naçevski dhe Sllave Nikolov të cilët e ndanë drejtësinë në ndeshjen finale.

Kjo ishte finalja e tyre e tretë e madhe radhazi pasi drejtuan finalet e Kampionatit Evropian 2020 dhe Olimpiadës Verore 2021.

Bronzi i tretë për Spanjën në kampionatin botëror

Kombëtarja spanjolle mbrojti medaljen e bronztë të kampionatit të kaluar pasi mposhti mikpritësin Suedinë në “finalen e vogël”, gjegjësisht në ndeshjen për vendin e 3-të me rezultat 39:36.

Kjo është medalja e tretë e bronztë e Spanjës në kampionatet botërore të hendbollit.

Në të njëjtën kohë, Spanja mundi përsëri Suedinë, si në Kupën e Botës 2011 në Malmö.




TRT Balkan